Pas aksionit të djeshëm në veri, kërkohet një muaj paraburgim për 19 të akuzuarit
Një muaj paraburgim është kërkuar për 19 policët e akuzuar për kontrabandim dhe krim të organizuar të cilët u arrestuan gjatë aksionit të djeshëm të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri.
Në ambientet e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka përfunduar edhe seanca dëgjimore për 19 të akuzuarit e cila filloi në ora 13:00.
Prokurori i rastit, Sylë Hoxha para trupit gjykues ka kërkuar që të akuzuarve t’u shqiptohet masa e paraburgimit prej një muaj. Kjo është konfirmuar për Indeksonline nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.
“Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Lutfiu.
Por propozimi në fjalë i dhënë nga prokurori Hoxha është kundërshtuar nga pala mbrojtëse e të gjithë të akuzuarve.
19 të arrestuarit e djeshëm janë dërguar në mbajtje, teksa pritet që tetë personat e tjerë të cilët u arrestuan dje të paraqiten nesër para trupit gjykues.
Seanca e nesërme gjyqësore nis në ora 09:00./Indeksonline/