Pas akuzave të presidentit – Kurti: Thaçi është në panik, ai po shkon!
Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti i është kundër përgjigjur presidentit të vendit, Hashim Thaçi, pasi akuzoi se ai dhe Konjufca janë ‘shefat’ e Syrit të Popullit.
“Me shpifjet e këtij presidenti që po ikën më shpejt se ç’është menduar nuk merrem. Viti 2019 do të jetë viti i ndryshimeve për Kosovën. Sepse nuk shkëmbehet Kosova me Serbinë. Sepse nuk zëvendësohet Gjermania me Rusinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Postimi i plotë:
Më 31 mars 2018, mua dhe Glaukun na akuzonte për lidhje me Rusinë dhe Iranin. Më 9 korrik, vetë presidenti Thaçi shkoi e takoi Medvedevin, kurse më 12 nëntor 2018 u takua me Putinin. Tash shpif për lidhje tjera të paqena.
Qëndrimet dhe veprimet tona janë publike, të drejta dhe të qarta. Me shpifjet e këtij presidenti që po ikën më shpejt se ç’është menduar nuk merrem. Viti 2019 do të jetë viti i ndryshimeve për Kosovën. Sepse nuk shkëmbehet Kosova me Serbinë. Sepse nuk zëvendësohet Gjermania me Rusinë.
I ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ta ruajnë qetësinë. Presidenti Thaçi është në panik. Shqetësimi i tij iracional nuk ka të bëjë me shtetin tonë të pavarur por me pazarin e tij me Serbinë. Ai po dështon. Ai po shkon.