Pas arrestimit të Mazrekut, rishfaqet fotografia nga një darkë e mëhershme
Arrestimi i ish-kreut të BKS-së, Sami Mazreku, riktheu edhe një herë në vëmendje fotografinë ku i dyshuari për keqpërdorimet milionëshe darkonte dhe cakërronte gotat me prokurorin e Prokurorisë Speciale, Dren Paca. I pranishëm në darkën “miqësore”, me mish e verë të kuqe, ishte edhe avokati Vehar Hana, po ashtu i arrestuar dhe dyshuar për falsifikim të dokumenteve në rastin e pronës 4 hektarëshe të ish-RTP-së, në Veternik.
Sami Mazreku, ish-Drejtor në Byronë Kosovare të Sigurimeve, është arrestuar sot në një aksion të gjerë të Prokurorisë Themelore në Prizren, nën dyshimet për keqpërdorime. Para gjashtë muajsh, për një rast tjetër, për falsifikim të dokumenteve të pronës 4 hektarëshe të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP) në Veternik, ishte arrestuar edhe ish-avokati i BKS-së, Venhar Hana.
Aksioni i sotëm ka rikthyer në dritë një fotografi ku Mazreku dhe Hana shihen nën shoqërinë e prokurorit special Dren Paca. Në fotografinë e publikuar edhe kohë më parë në media, ata shihen duke drekuar e cakërruar gotat mes vete.
Paca shihet i ulur afër Mazrekut, e Hana përballë ish-drejtorit të BKS’së, ndërkohë pjesë e darkës me mish e verë të kuqe ka qenë edhe aktori i njohur, Ilir Prapashtica. Treshen i shoqëronte edhe një person i katërt, shkruan gazeta online Reporteri.net. Fotografia që daton vite më parë, ka qenë e publikuar dhe shpërndarë përmes rrjetit social Facebook. Ajo është shkrepur në një restorant të njohur, pak kilometra larg Prishtinës.
I kontaktuar nga gazeta online Reporteri.net, Dren Paca, të enjten ka refuzuar që përmes telefonit, të flasë për raportin e tij me dy të dyshuarit për krime financiare. Ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim.
“Çkado që keni ju lutem drejtonu me shkrim dhe mundemi me ju përgjigjem…. Dërgoji të gjitha pyetjet që i ki me shkrim, edhe ju përgjigjemi“, tha Paca përmes telefonit, pasi është pyetur lidhur me raportin që ka me Mazrekun dhe Hanën. Reporteri.net i ka dërguar pyetjet në formë te shkruar në të njëjtin numër, i njëjti deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje. Të njëjtat pyetje i janë përcjellë edhe në e-mail atij dhe zëdhënëses për informim të Prokurorisë Speciale. As andej nuk është pranuar ndonjë përgjigje, dhe sapo të merren do të publikohen.
Ndryshe, edhe vetë prokurori special Dren Paca kishte punuar më parë në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Këtë e kishte konfirmuar ai, kur ishte pyetur për një tjetër fotografi ku shihej me Hanën, për veprimet e të cilit thoshte se nuk mbanë përgjegjësi.
“Siç jeni të informuar unë kam punuar në Byronë Kosovare të Sigurimit për 5 vite para se të emërohem Prokuror. Sigurisht që kam fotografi me ish kolegët, për veprimet e të cilëve unë nuk mbajë përgjegjësi”, kishte thënë Prokurori Special Paca përmes Zyrës për Informim, e citonte Insajderi, më 9 shtator 2024.
Paca atë kohë mohonte edhe mundësinë e ndikimit në favor të miqve. “Për dijeninë tuaj unë as nuk mund të ndikojë në punën e kolegëve të mi prokurorë dhe as nuk jam në dijeni për subjektet apo personat që mund t’i kenë në hetime”, kishte thënë prokurori special.
Për raportin me Pacen ishte deklaruar Hana në një reagim të tij publik ndaj mediumit që kishte publikuar fotografinë në vitin 2024.
“[…] të gjithë personat në atë fotografi kemi qenë ish-kolegë në Byro. Unë kam raporte shoqërore me Dren Pacën dhe jo me Prokurorin Special, […] dhe se kjo shoqëri nuk ka të bëj me asnjë interes e as ndikim, siç jeni munduar t’a paraqitni në lajm“.
“Sa i përket “dyshimeve” tuaja për “mundësinë e ndikimit” të Prokurorit Special Dren Paca, i njëjti është tërësisht hamendësues i pabazë, ngase as që jam në njohuri për ndonjë hetim që mund të ketë qenë në proces, por se, për të gjitha veprimet e mia në detyrë si përfaqësues, jam plotësisht përgjegjës dhe mbaj përgjegjësi individuale, nëse kjo eventualisht do të ishte çështja“, thuhej tutje në reagimin e Hanës, të publikuar nga Insajderi, më 17 shtator 2024.

Sami Mazreku bashkë me ish-drejtorin e Financave në BKS, Valon Berisha që po ashtu u arrestua gjatë aksionit të sotëm në disa lokacione të ndryshme në Kosovë, dyshohen t’iu kenë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve në vlera mijëra euro. Nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në cash.
Dëmi i buxhetit të BSK-së, nga e gjithë kjo skemë e dyshuar kriminale, përllogaritet të jetë mbi 1 milion Euro.
Aksioni krye të enjten, me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit, ku përveç ish drejtuesve Mazreku dhe Berisha, cak kishte edhe 45 persona tjerë të dyshuar, prej të cilëve nën 39 ranë nën prangat e policisë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Cak i hetimeve janë ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i departamentit financiar te BKS-së, duke keqpërdorur autorizimet që iu kanë besuar nga BKS iu kanë mundësuar personave të ndryshëm dhe vetvetes që të bartin transaksione të ndryshme ku kanë arritur përftime të mëdha për vetën dhe kanë shkaktuar dëm të madh BSK dhe kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara”, njoftoi Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, gjatë një konference për media.
Ai ka theksuar se gjatë hetimeve janë siguruar 166 transaksione të dyshimta, përfshirë 25 transaksione që lidhen me 12 persona, 141 transaksione të tjera me vlera nga 6.800 deri në 68.000 euro për persona të ndryshëm.
Nga ana tjetër, avokati Venhar Hana ishte arrestuar në qershor të vitit 2025, më pas ishte liruar në arrest shtëpiak, lidhur me dyshimet për falsifikim të dokumenteve të pronës 4 hektarëshe të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP) në Veternik.
Pas aksionit të sotëm, BKS ka dalë me reagim ku ka thënë se rasti ndaj Mazrekut ishte iniciuar nga vetë Byroja Kosovare e Sigurimeve në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të gjetura në raportin e Auditinit të Brendshëm.
Aty thuhet se pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorim, BKS ka drejtuar gjetjet tek organet e drejtësisë.
“Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve”, thuhet në komunikatën e BKS-së.
Një raporti i brendshëm i BKS-së, i publikuar kohë më parë nga Insajderi, përveç Mazrekut, e implikonte edhe avokatin Hana në skemën e përfitimeve të kundërligjshme nga BKS-ja.

