75 Mall Live Search
09:59 / E Hënë, 27 Maj 2019 / indeksADMonline

Pas arrestimit të punëtorit të ATK-së nga serbët, Pacolli i shkruan Mogherin-it dhe ka një thirrje për BE-në

Gjatë mbrëmjes së kaluar zv/kryeministri i vendit Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se autoritetet serbe kanë arrestuar punëtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Marjan Gjokajn.

E padyshim ky nuk është arrestimi i parë i kosovarëve që viteve të fundit bëhen nga autoritete serbe.

Lidhur me këtë shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli i ka shkruar sot Përfaqësues së Lartë të Bahskimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, për të shprehur shqetësimin për arrestimin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe.

Pacolli thotë se kjo është e disata herë që po shkruan në drejtim të Mogherinit, madje duke i bërë thirrje BE-së që të ndërhyjë dhe të ndalojë këto veprime nga Beogradi, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Unë i kam shkruar sot, për të disatën herë, Federica Mogherinit Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme për të shprehur shqetësimin e thellë të Republikës së Kosovës për arrestimin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kundërshtim me marrëveshjen e lëvizjes së lirë dhe të drejtat e tyre themelore . Unë i bëj thirrje BE-së që të ndërhyjë dhe të ndalojë këto veprime nga Beogradi. Kosova është e gatshme të marrë masa për të reaguar dhe për të mbrojtur qytetarët e saj të të gjitha përkatësive etnike dhe fetare.