75 Mall Live Search
16:18 / E Martë, 19 Gusht 2025 / KV

Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, dënohet me 1 vit burgim me kusht i akuzuari për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit

Muhamed Musliu është shpallur fajtor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special për veprën penale të “Nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit” dhe u dënua me 1 vit burgim me kusht.

Gjykatësi Vesel Ismali tha se dënimin në fjalë, i akuzuari nuk do ta vuajë nëse brenda 3 vitesh nuk kryen veprën penale të “Nxitjes se përçarjes dhe mosdurimit” apo vepra tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, u aprovua marrëveshja për pranim fajësie nga gjykatësi Ismaili, i cili tha se janë plotësuar dispozitat ligjore për arritjen e kësaj marrëveshje.

Fillimisht, prokurorja Fikrije Fejzullahu tha se marrëveshja e arriur në mes të Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit, është në përputhje me dispozitat e KPRK-së, dhe se i akuzuari përmes mbrojtjes së tij profesionale ka pasur mundësi të këshillohet dhe udhëzohet mjaftueshëm për pasojat dhe benifitet e pranimit të fajësisë.

Ajo kërkoi që të akuzuarit t’i shqiptohet dënimi sipas marrëveshjes së arritur në kohëzgjatje prej 1 viti, me kusht që brenda 3 vitesh të mos kryejë veprën penale nxitje të përçarjes apo mosdurimit sipas aktakuzës dhe as ndonjë vepër tjetër penale.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Visar Rrecaj tha se marrëveshja e arritur është në përputhje me dispozitat ligjore, madje duke respektuar edhe dënueshmërinë e veprës penale, kanë ardhur në përfundim që të pranojnë dënimin sipas marrëveshjes.

Gjithashtu, avokati i propozoi Gjykatës që ta aprovojë marrëveshjen në tërësi si dhe kërkojë ndërprerjen e masës së paraburgimit pasi që tanimë nuk ka kushte ligjore që një masë e tillë të vazhdohet.

Lidhur me këtë, prokurorja Fejzullahu tha se pajtohet me propozimin e mbrojtjes për ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe se kanë pushuar shkaqet për atë masë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Muhamet Musliu akuzohet se më 12 gusht 2025 ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim mes grupeve fetare, si dhe ka propaganduar ideologji ekstreme fetare, në atë mënyrë që përmes rrjetit social “Facebook”, në profilin e tij ka shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, duke publikuar fotografi dhe materiale propagandistike që përmbajnë skena të dhunshme, si prerje koke atyre që nuk e respektojnë fenë islame, ka bërë thirrje për masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve, si dhe për të përhapur frikë në tokat joislame, sipas metodave të propogandës së ISIS-it.

Aty thuhet se duke publikuar foto dhe video të personave të ndryshëm të radikalizuar, ka shpërfaqur në publik thirrje të ekstremizmit fetar duke i përkrahë veprimet të cilat janë bërë nga Organizata Terroriste Islamike, nag të cilat postime potencialisht mund të jetë prishur rendi publik.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, par.1 të Kodit Penal.