75 Mall Live Search
11:49 / E Hënë, 17 Janar 2022 / B O

Pas “Australian Open”, Djokovic rrezikon të humbas edhe një turne të rëndësishëm, karriera e tij në pikëpyetje!

Pas përjashtimit nga Australia, Novak Djokovic tani kërcënon të humbasë turne të rëndësishëm edhe në vende të tjera. Tenisti serb pritet të humbas edhe turneun e rëndësishëm “French Open”.

Franca ka bërë të ditur se asnjë sportist nuk do të lejohet të marrë pjesë pa qenë i vaksinuar.

Numri një i botës u largua nga Melburni të dielën në mbrëmje pasi gjykata federale e Australisë refuzoi apelimin e tij kundër anulimit të vizave. Shpresat e tij për titullin e dhjetë në Australian Open përfunduan një ditë para fillimit të turneut.

Edhe në Francë masat për personat e pavaksinuar janë duke u forcuar më tej. Vetëm pak ditë më parë, parlamenti francez vendosi të prezantojë një certifikatë të re vaksinimi kundër koronës me një ligj që përcakton se personat e pavaksinuar mbi moshën 16 vjeç nuk duhet të kenë më akses në stadiume në të ardhmen. Presidenti Emmanuel Macron gjithashtu njoftoi se donte “t’ua vështirësonte jetën” të pavaksinuarve.

Statusin e njëjt për sportistët pritet ta ketë edhe US Open dhe nuk pritet të lejojë sportistët e pavaksinuar që të marrin pjesë.

Analistët vlerësojnë se nëse Djokovic nuk vaksinohet, karriera e tij mund të marrë fund. Tenisti serb brenda 3 muajsh do festojë ditëlindjen e 35-të, që është një konfirmim se karriera e tij po e sheh teposhtëzen./Indeksonline/