Pas dy dekadash, Nicole Kidman rikthehet si ambasadore e Chanel

Pas më shumë se dy dekadash nga fushata ikonike për parfumin Chanel No. 5, e realizuar nga regjisori Baz Luhrmann, Nicole Kidman është bashkuar sërish me Chanel si ambasadore e re e shtëpisë së modës.
Aktorja fituese e Oscar-it do të bëjë paraqitjen e saj të parë në sfilatën debutuese të Matthieu Blazy si drejtor kreativ i Chanel, ku do të shfaqet me një këmishë të bardhë të stilit mashkullor dhe xhinse të gjera, pamja e parë nga koleksioni shumë i pritur.
Kidman ishte një nga figurat e para që e ktheu një sfilatë mode në një ngjarje të pop kulturës, kur mori pjesë në shfaqjen pranverë 2005 të Chanel të organizuar nga Karl Lagerfeld. Ajo ka mbetur një pjesë e pandarë e historisë së Chanel, duke e veshur edhe në Met Gala 2023 fustanin nga fushata e vitit 2004.
Në një deklaratë për WWD, Kidman u shpreh: “Jam e emocionuar që po bashkohem sërish me Chanel, këtë herë nën vizionin e Matthieu Blazy. Chanel ka ditur gjithmonë si të nderojë gratë me inteligjencë dhe elegancë.”
Blazy, i cili më parë ka veshur aktoren gjatë drejtimit të tij te Bottega Veneta, tha: “Nicole është mishërimi i gruas Chanel, e lirë dhe gjithmonë në ndryshim. Është një ëndërr të punoj sërish me të.”
Presidenti i Chanel, Bruno Pavlovsky, theksoi se marka synon të sjellë fytyra të reja, pa lënë pas ambasadorët e saj besnikë.