16:19 / E Mërkurë, 26 Qershor 2019

Pas dy javësh, bëhen me ujësjellës banorët e Rekës së Mirë në Gjakovë

Brenda dy javësh banorët e fshatrave të Rekës së Mirë në Gjakovë mund të pajisen me rrjetin e ujësjellësit, nëse këta të fundit kryejnë kyçjet vetanake.

Kështu ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, në një takim me përfaqësues të fshatrave Skivjan, Hereq, Dujakë, Dobrigje, Firajë e Planqor.

Ahmeti i uroi të gjithë banorët e këtyre  fshatrave për jetësimin siq ai tha “të ëndrrës së kahmotshme” për shtrirje të rrjetit të ujësjellësit në këtë zonë. Teksa i porositi ata që të blejnë orëmatësit pasi lidhjet e ujit nëpër shtëpi duhet të kryhen në mënyrë vetanake nga banorët.

 “Ne e kemi bërë të pamundshmen që së pari me bashkëpunimin që e kemi me zyrën zvicerane dhe me Qeverinë e Kosovës, që ua kemi pru rrjetin. Kurse, e dyta është që e kemi bërë një investim, punimet janë duke u bë, diku 160 mijë euro që është në përfundim e sipër. Arsyeja pse ju kemi thirrur sot është që lidhjet shtëpiake, kyçjet që keni me i bë, munden me fillu prej ditës së sotit që brenda dy javëve me ua pru ujin”, tha Ahmeti.

Muhamet Lama drejtori teknik në këtë kompani bëri të ditur se kompania ka përgatitur një udhëzues, në të cilin parashihen të gjitha kyçjet që do të realizohen.

 “Në këtë udhëzues parashihen krejt lidhjet që do të ekzekutohen, përfshihen kyçjet individuale, puseta, orëmatësi, do të thotë rrjeti primar… Për ne është problem, por edhe për juve disa, është që projektet kur janë bërë janë bë nga komuna dhe nga Agjencia CDI, dhe nuk kanë qenë të sakta. Prandaj, ka lagje që mund të mbesin më gjatë prej gypit kryesor dhe ato do të jenë pak më problematike për ne dhe për ju”, tha ai.

Ndërkaq përfaqësuesit e fshatrave patën mundësinë që të parashtrojnë pyetje lidhur me punët teknike e për të cilat gjetën gatishmërinë e menaxhmentit të kompanisë KRU “Gjakova.