15:58 / E Enjte, 12 Maj 2022 / AR

Pas gjyqit për plagosje, do të ngritet tjetër padi për Veshajt lidhur me muzeun ku xhiruan klipin e fundit

Donald dhe Romeo Veshaj së fundmi kanë publikuar këngën ‘’Picasso’’ në bashkëpunim me Elgit Dodën.

Kënga, e cila u mirëprit nga publiku erdhi e realizuar me videoklip, një pjesë e të cilit u xhirua në ambientet e Muzeut të Artit Mesjetar.

Lidhur me këtë ka reaguar avokati korçar, Esmerald Xhafa, i cili ka paralajmëruar padi ndaj tyre.

“Kush ka lek,  pordhë por nuk ka mend mund të prenotojë kundrejt pagesës që edhe fejesat apo martesat ti organizojë tek Muzeu i Artit Mesjetar. 

Shumë shpejt besoj ditën e nesërme do depozitoj kallëzim penal për personat përgjegjës për këtë turp.”

Xhafa ka paralajmëruar një padi kundrejt artistëve duke thënë se do të përballen me drejtësinë.

Njëkohësisht ka bërë të ditur se do të padisë ministrinë e Kulturës, Drejtorin e muzeut kombëtar të Artit Mesjetar si dhe Drejtorin e Muzeut të Fotografisë, Gjon Mili.

Sipas pretendimeve të avokatit, regjistrimi i videoklipit të këngës “Picasso” i bërë në Muzeun Mesjetar të Korçës ka dëmtuar ikonat.

Xhafa thotë se Veshajt, Elgiti por edhe organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi administrative sipas parashikimit të ligjit për dëmtimin e trashëgimisë kulturore të muzeut.

E gjithë polemika dhe padia e avokatit vjen pasi në videoklip ka pasur skena  të vëllezërve Veshaj dhe Elgit Dodës, të xhiruara në Muzeun e Korçës para ikonave të kishës.