Pas humbjes së jetës në autostradë, Shahini: Neglizhenca ndaj shembjes së dheut është e papranueshme
Të dielën si pasojë e një vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, mbeti e vdekur një grua dhe në gjendje të rëndë shëndetësorë si pasojë e lëndimeve të marra vazhdon të jetë një burrë.
Eksperti i komunikacionit, Liridon Shahini ka thënë se është shqetësues fakti se numri i aksidenteve është në rritje.
Shahini, ka përmendur edhe faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të aksidenteve.
“Gjithmonë kur ndodhin aksidente, ndodhin sipas tri arsyeve apo tre faktorëve kryesorë që ndodhin aksidentet, është faktori njeri, faktori rrugë dhe faktori automjet. Fatkeqësisht, ditëve të fundit kemi pasur numër të shtuar të aksidenteve në vendin tonë, përfshirë edhe aksidentin e ditës së djeshme që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”, gjegjësisht nga një shembje e dheut u shkaktua një aksident me fatalitet edhe kjo është vërtetë e rëndë, vërtetë shqetësuese, për shkak të lëshimit të faktorit njeri me ndodhë një aksident me fatalitet, natyrisht që është e vështirë dhe është e rëndë. Shqetësues është numri i aksidenteve në rritje vazhdimisht, mos respektimi i rregullave të komunikacionit, mos mirëmbajtja e duhur e rrugëve, gjendja jo e mirë teknike e automjeteve, e kështu me radhë, krejt këto janë si faktorët që po na ndodhin neve numër të madh të aksidenteve.”, tha ai.
Duke folur për aksidentin e djeshëm Shahini u shpreh se është e papranueshme që shembja e dheut të qëndrojë në autostradë me javë e muaj të tërë pa u larguar.
“Gjithmonë pas një aksidenti kemi një lëshim, duhet të hetohet mirë rasti, duhet të krijohet një ekip e inxhinierëve dhe një ekspertizë me na tregu saktë cilat kanë qenë lëshimet në rastin konkret, në aksidentin e ditës së djeshme. Por, është e papranueshme që në një autostradë të ketë shembje dheu dhe atë të qëndrojë me javë të tëra e muaj shembja pa u larguar. Ne jemi dëshmitarë të asaj që gjithmonë edhe në aspektin profesional, kur shembje mund të ketë, ndodhin deformime, shembje, ujë, gurë, e kështu me radhë, por që duhet të intervenohet me urgjencë, sidomos në autostrada, për shkak se zhvillohet shpejtësi e lartë e qarkullimit të automjeteve dhe pasojat mund të jenë të rënda, apo fatale, qysh i kemi pasur ne edhe vitin e kaluar, kemi pasur fatalitet në këtë aks rrugor, na është përsëritur edhe dje, edhe duhet marrë masa urgjente për parandalimin e aksidenteve”, tha ai.
Sipas tij, autoritetet nuk kanë reaguar mjaftueshëm lidhur me parandalimin e aksidenteve.
“Jo, është konkrete jo, s’kanë reaguar mjaftueshëm, për shkak se është një kontratë që e bën mirëmbajtjen e rrugëve, edhe është një autoritet kontraktues, që në këtë rastin konkret është Ministria e Infastrukturës përgjegjëse direkte për gjendjen e autostradave dhe rrugëve nacionale dhe regjionale. Pra, nuk mendoj se kanë reaguar mjaftueshëm për shkak se, e thashë edhe më herët, shembjet mund të ndodhin, deformime mund të ketë, por sinjalizimi i përkohshëm duhet të bëhet me urgjencë, dhe nuk është e domosdoshme me u vendos vetëm disa shenja apo disa kone për me e lajmërua një deformim të rrugës apo një shembje, pra duhet të ketë masa apo pengesa fizike, devijim të trafikut, zvogëlim të shpejtësisë, duhet të ketë persona përgjegjës që qëndrojnë aty deri sa masa e dheut apo shembja të evitohet komplet dhe rruga të jetë e qarkullueshme.”, deklaroi ai.
Shahini, deklaroi se problematika kryesore e autostradës “Ibrahim Rugpva’, është shembja e dheut.
“Autostrada “Ibrahim Rugova”, në përgjithësi është një autostradë e mirë, por problematikat kryesore të kësaj autostrade janë shembja e dheut që ndodhi te aksi rreth zonës së Malishevës edhe Suharekës, ato shembje janë shumë problematike edhe janë duke na u përsëritur neve me vite. Pra, unë e kuptoj që mundet të ketë shembje, por masat parandaluese duhet të jenë të menjëhershme dhe me urgjencë.”, tha ai.
Sa i përket masave që duhet të merren, ai u shpreh se duhet vendosur edhe pengesa fizike.
“Ekipet e mirëmbajtjes duhet të jenë të pajisura mirë me sinjalizim të përkohshëm të rrugëve edhe çdoherë kur kemi deformime të rrugës, shembje të dheut, e kështu me radhë, duhet të vendosen pengesa fizike, mos me ia lanë mundësinë që ngasësit me u ataku direkt me shembjen apo masivin, në rastin konkret, për shkak që në autostradë zhvillohet shpejtësi e lartë e lëvizjes edhe për këtë arsye është e pamundur me u evitu shpeshherë nëse nuk ka masa konkrete apo pengim fizik nëpër rastet kur ka shembje”, tha Shahini.

