16:04 / E Hënë, 15 Mars 2021 / Blerim

Pas Italisë dhe Danimarkës, Gjermania pezullon përdorimin e vaksinës AstraZeneca

Gjermania ka pezulluar përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit, AstraZeneca.

Mediat e huaja, bëjnë me dije se vendimi është marrë nga Ministria e Shëndetësisë pasi kjo e fundit ka konstatuar se vaksina ka dhënë efekte anësore tek ata që kanë marrë dozën.

Lajmin e ka dhënë këtë të hënë Ministria Federale e Shëndetësisë e cila i referohet një rekomandimi aktual nga Instituti Paul Ehrlich për ekzaminime të mëtejshme.

Sipas mediave, më parë kishte pasur raporte të trombozës cerebrale pas kryerjes së vaksinës, dhe duke u nisur nga kjo  Instituti Paul Ehrlich i konsideron të domosdoshme hetimet e mëtejshme.

Sipas “BILD”  Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) do të vendosë “nëse dhe si do të ndikojnë gjetjet e reja në miratimin e vaksinës”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Pezullimin e vaksinës AstraZeneca e ka bërë edhe Italia e Danimarka, ndërkohë në vendin tonë deri më tani nuk ka asnjë informacion nëse kjo vaksinë ka dhënë efekte anësore tek mësuesit, të cilët e morën dozën më 13 mars.

Në Gjermani që prej fillimit të pandemisë deri më tani kanë humbur jetën rreth 73 mijë  persona dhe janë infektuar 2,579,992 të tjerë.