22:53 / E Shtunë, 13 Prill 2019 / indeksADMonline

Pas katër orë përplasje e gaz lotsjellës, përfundon protesta në Tiranë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga selia e partisë së tij, tha se protesta e sotme është më e madhja në historinë e pluralizmit. Ai shtoi se qytetarët vulosën largimin e Ramës.

“Sot ishte e nënta protestë në 3 javë, të tretën kombëtare ju keni vulosur në mënyrë të pakapërcyeshme për opozitën dhe për gjithë shqiptarët largimin e Ramës si kusht i panegociueshëm për qeverinë tranzitore që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha.

Basha tha se përpjekjet e Ramës për ta shpërndarë protestën dështuan edhe pse sjellja e tij ngjan me të pushtuesve.

“Qeveria kriminale e Ramës e cila mbahet me forcën dhe paratë e krimit dhe oligarkëve sot u soll edhe njëherë si pushtues ndaj nënave dhe motrave, ndaj qytetarëve protestues”, vijoi Basha.

Kryetari i PD-së tha se fundi i Ramës tashmë është vendosur dhe nuk e ndalojnë dot as arrestimet dhe hedhja e gazit.

“Asnjë veprim i kundërligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet nuk ka për të pasur sukses. Fundi i Ramës është firmosur dhe vulosur nga populli sovran”, deklaroi Basha.

Me fjalimin e Lulzim Bashës dhe këndimine  himnit kombëtar, është mbyllur edhe protesta e opozitës në Tiranë.