20:11 / E Premte, 20 Mars 2020 / indeksADMonline

Pas kritikave të shumta, zbulohet pse Higuain u largua drejt Argjentinës

Largimi i Gonzalo Higuain drejt Argjentinës, ndërkohë që gjithë skuadra e Juventusit shet në karantinë për shkak të infektimit me koronavirus të mbrojtësit Rugani dhe mesfushorit Matuidi, shkaktoi polemika të shumta në opinionin italian dhe jo vetëm.

Të shumtë ishin ata që kritikuan mungesën e përgjegjësisë nga ana e futbollistëve dhe klubit të Juventusit, që pasi la të lirë Ronaldon, i dha leje një tjetër futbollisti të largohet nga Torino dhe të udhëtojë drejt Argjentinës, ndonëse mund të ishin edhe këta të prekur nga virusi Covid-19.

Megjithatë gazetari i CNN Radio Argentina, Hernan Castillo ka zbuluar edhe shkaqet që e detyruan sulmuesin e Juventusit të udhëtojë me një fluturim privat nga Torino në Argjentinë.

“Mamaja e Gonzalo Higuain është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe sulmuesi, pasi kreu dy herë tamponin dhe rezultoi negative ndaj koronavirusit, mori leje nga klubi dhe udhëtoi me një fluturim privat për të qenë pranë familjes së tij”, shkroi Castillo në Twitter.