Pas Lewis Capaldi-t, “Sunny Hill Festival” zbulon emrin e ri që vjen në Prishtinë – artisti italian Blanco i bashkohet listës së artistëve të njohur
Pasi u bë e ditur se artisti i njohur skocez Lewis Capaldi do të jetë pjesë e edicionit të sivjetmë të “Sunny Hill Festival”-it, organizatorët kanë zbuluar edhe një emër të ri.
Listës së artistëve me famë botërore që do të performojnë në Kosovë i është bashkuar edhe këngëtari italian Blanco.
Blanco është një nga artistët më të suksesshëm të muzikës italiane, i njohur për stilin e tij unik si dhe për zërin e tij karakteristik.
Në vitin 2022, ai përfaqësoi Italinë në “Eurovision Song Contest” së bashku me Mahmood-in, me këngën “Brividi”, e cila u vlerësua shumë nga adhuruesit e festivalit.
Përveç hitit “Brividi”, repertori i tij muzikor përfshin edhe këngë shumë të njohura si “Ricordi”, “Mi fai impazzire”, “Piangere a 90” dhe shumë të tjera, derisa transmetimet e tij në Spotify kapin shifra prej qindra milionave.
“Sunny Hill Festival” do të nisë më 31 korrik dhe do të vazhdojë edhe më 1 dhe 2 gusht, duke sjell tri net të paharrueshme me performanca të artistëve globalë si dhe vendorë.
Organizatorët pritet të zbulojnë edhe emra të tjerë që do t’i bashkohen edicionit të këtij viti.

