18:34 / E Diele, 29 Mars 2020

“Pas orës 17:00 punojnë vetëm pesë barnatore kujdestare në kryeqytet”

Pas vendimit për ‘orë policore’, jo të gjitha barnatoret janë hapur gjatë orës kur është e kufizuar lëvizja në kryeqytet. Ato do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre prej orës 06:00 deri në orën 17:00, derisa pas kësaj kohe do të punojnë me rotacion. Pas orës 17:00 janë vetëm pesë barnatore në kryeqytet që do të qëndrojnë të hapura për qytetarët në rast nevoje.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, në një intervistë për KosovaPress tregon se mund të ketë mungesë të ndonjë produkti, por jo të të gjithave. Ai ndër të tjera tregon edhe mënyrën e organizimit të barnatoreve kujdestare.

“Pas orës 5 pasdite do të punojnë vetëm barnatoret kujdestare, të cilat organizohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinal e në bashkëpunim me Odën e Farmacistëve dhe nivelet komunale. Sot nga Ministria e Shëndetësisë është komunikuar me të gjithë drejtorët e shëndetësisë të komunave që të merren listat e kujdestarive, për shkak se disa komuna vetëm se i kanë pasur kujdestaritë funksionale. Në mënyrë që të mos ngatërrohen, pra të bëhet një harmonizim i listave dhe kështu për sot është publikuar lista e barnatoreve kujdestare”, tha ai.

Sipas tij, në këto lista është bërë një modelim, ku në 35 deri në 40 mijë banorë, do të jetë e hapur një barnatore. E, vetëm në komunën e Prishtinës, do të jenë të hapura pesë barnatore pas fillimit të ‘orës policore’.

“Barnatoret kanë një rotacion, pra një barnatore që është sot e hapur, të nesërmen do të jetë tjetra me radhë, derisa të përfundojnë të gjitha barnatoret e licencuara të atij vendi, dhe pastaj fillon nga e para. Do të thotë është një rotacion që të gjithë do të kujdestarojnë”, tha Jakupi.

Duke folur për rritjen e çmimeve në farmacitë e Kosovës, ai deklaron se kjo dukuri nuk është e rregullt dhe për këtë nuk duhet të fajësohen barnatoret. Sipas tij, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së produkteve në tregun global.

Jakupi: Për artikuj të caktuar ka pasur ngritje të çmimeve
(Video)

“Për artikuj të caktuar ka pasur ngritje të çmimeve, por jo në mënyrë masovike ashtu siç ishte proklamuar. Barnatoret janë institucione shëndetësore, të cilat çmimet i marrin në një mënyrë të gatshme dhe në ato çmime dhe nuk ka pasur ndonjë lëvizje në përqindje. Në anën tjetër, në rast se ka ndodhur ndonjë rast individual nuk mund të përgjithësohen të gjitha barnatoret për ndonjë rast të caktuar, për të cilin po ashtu do të merren masat e parapara ligjore”, tha Jakupi.

Kryetari i Odës së Farmacistëve t ë Kosovës, Arianit Jakupi, siguron se furnizimi i farmacive me barna po vazhdon, dhe se sipas tij deri në gjashtëmujorin e ardhshëm nuk mund të ketë mungesë të barnave esenciale në barnatoret e Kosovës. Për këtë sipas tij nuk ka nevojë për panik nga ana e qytetarëve.

Ndryshe, deri më tani janë identifikuar 91 raste të prekura me koronavirus, ndërsa është shënuar një i vdekur nga kjo pandemi dhe një i shëruar.