75 Mall Live Search
22:48 / E Enjte, 09 Tetor 2025 / Z S

Pas OSBE-së edhe Ambasada Gjermane me kritika ndaj KQZ-në për refuzimin e akreditimit të mediave serbe për zgjedhjet lokale

Pas OSBE-së edhe Ambasada e Gjermanisë ka reaguar pas vendimit të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e lejuar akreditimin e disa mediave, përfshirë ato që raportojnë në gjuhën serbe, për zgjedhjet lokale që mbahen këtë të diel, më 12 tetor.

Edhe Ambasada Gjermane në Prishtinë mbështeti deklaratën e OSBE-së, duke thënë se vendimi i disa anëtarëve të KQZ-së mund të dëmtojë besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Reagimi i plotë i Ambasadës së Gjermanisë:

“Ambasada Gjermane në Kosovë mbështet plotësisht deklaratën e lëshuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për sa i përket vendimit të fundit të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të abstenuan ose votuan kundër kërkesave për akreditim të mediave në gjuhë serbe dhe të tjera për mbulimin e zgjedhjeve lokale në vijim.

Në të njëjtën kohë, Ambasada përgëzon të gjithë anëtarët e KQZ-së që vepruan në mënyrë konstruktive dhe në frymën e lirisë së mediave.

Zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente varen nga qasja e barabartë për të gjitha mediat për të vëzhguar dhe raportuar procesin. Kufizimi i akreditimeve në bazë të gjuhës ose përkatësisë rrezikon përkeqësimin e besimit të publikut në institucionet demokratike dhe inkluzivitetin e kornizës zgjedhore të Kosovës.

Ambasada Gjermane bashkohet me Misionin e OSBE-së në thirrjen për të gjitha institucionet për t’i trajtuar të gjitha mediat në mënyrë të barabartë dhe për të ruajtur parimet e lirisë së mediave dhe mosdiskriminimit.”/Indeksonline/