Pas Osmanit dhe Abdixhikut, ky është kandidati që befasoi me vota në Istog
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Naim Behlulaj, ka dalë ndër emrat më të votuar në komunën e Istogut në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Pas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Vjosa Osmanit, Behlulaj është renditur i treti për nga numri i votave të fituara në Istog, duke siguruar gjithsej 4,094 vota.
Përmes një reagimi publik, ai ka falënderuar qytetarët e Istogut, anëtarët, simpatizantët dhe strukturat e LDK-së për mbështetjen e dhënë gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor.
“Dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për mbështetjen, besimin dhe përkrahjen që ma dhatë gjatë këtij rrugëtimi. Falënderoj secilin qytetar që më besoi votën e tij, si dhe ata që, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, më mbështetën dhe më inkurajuan gjatë kësaj periudhe”, ka shkruar Behlulaj.
Ai ka theksuar se rezultati prej 4,094 votash përfaqëson një vlerësim të jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve të Istogut.
“Do të vazhdoj të jem i përkushtuar për të punuar me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe të komunës sonë”, ka shtuar ai.
Rezultati i arritur nga Behlulaj konsiderohet një nga befasitë pozitive të LDK-së në Istog, duke e renditur atë ndër kandidatët më të mbështetur në këtë komunë.

