75 Mall Live Search
09:46 / E Enjte, 27 Shkurt 2025 / MSH

Pas pak nis takimi i këshillit për 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, Fadil Nura thotë se s’ka ftesë!

Këshilli shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së do të mbajë sot mbledhjen e parë.

Gjatë takimit pritet të diskutohet rreth organizimeve shtetërore për Epopenë, teksa ministri Hajrullah Çeku dje deklaroi se anëtarë të këshillit do të jenë disa ministra, kryetari i Skënderajt si edhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Këta të fundit gjatë ditës së djeshme njoftuan se nuk përjashtojnë mundësinë e bojkotit të pjesëmarrjes në këtë mbledhje, pasi sipas tyre, qeveria nuk ka qenë e gatshme për bashkëpunim kur OVL e UÇK-së e kishte kërkuar.

Lidhur me mbarëvajtjen e takimit që është paralajmëruar të fillojë në orën 10:00, është deklaruar edhe bashkëkryesuesi i këshillit, Fadil Nura.

Kryetari i Skënderajt tha për IndeksOnlinen se nuk ka pranuar ftesë nga MKRS-ja për këtë mbledhje, teksa të njëjtit institucion i kishte ofruar gatishmërinë për të kontribuar në organizimin shtetëror për Epopenë.

Nura shtoi se nuk mund të komentojë vendimin për bojkot të organizatave të dala nga lufta, pasi e sheh si vendim autonom të tyre.

“A na ka ardhë ndonjë ftesë prej Këshillit për Epopenë? Të them të drejtën unë nuk kam ftesë! Nuk na ka ardhë diçka dhe unë nuk e komentoj vendimin e organizatave të dala nga lufta, është vendim i tyre autonom.

Përgjegjësinë time, unë e kam ofruar, siç e kam ofruar gjithmonë, sepse bëhet fjalë për një ngjarje të rëndësishme, përveç vitit të kaluar, se kemi qenë të përjashtuar.

Këtë vit, paraprakisht me ka kontaktuar ministri i Kulturës dhe e kam shfaqur gatishmërinë që me japë kontribut në organizim, që organizimi të jetë sa më i mirë dhe sa më adekuat për këtë ngjarje të rëndësishme. Për vendimin e shoqatave nuk kam koment”, deklaroi Nura për IndeksOnlinen.