Pas pak seanca ndaj Klinakut, Kurti i pranishëm në gjykatë

Pas pak pritet të fillojë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Faton Klinakut, i dyshuar për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në sallë janë paraqitur Faton Klinaku dhe Nuredin Selamni, në cilësinë e të dyshuarve, si edhe Kurti, në cilësinë e palës së dëmtuar, raporton IndeksOnline.
Disa javë më parë, prokuroria njoftoi se aktakuza ndaj Klinakut dhe të dyshuarit tjetër, N.S., për veprën penale “Kanosja”, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri Faton Klinaku me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin Albin Kurti, në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social Facebook, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, deklaroi prokuroria.