Pas promovimit të platformës elektronike, KQZ-ja mbajti trajnimin për subjektet politike për aplikimin online për zgjedhjet e 9 shkurtit

Subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës u është lehtësuar, pasi nuk do të kenë nevojë që të “vrapojnë” me letra në duar për të zënë afatin për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për deputetë.
Pas funksionalizimit të platformës elektronike (http://certifikimi.kqz-ks.org) partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët, do të mund ta bëjnë aplikimin e tyre online.
Në një përgjigje me shkrim, Zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Indeksonline se afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është deri në orën 16:00 të 11 dhjetorit 2024.
“Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, ka filluar më 1 shtator dhe do të përfundojë më 11dhjetor 2024, në orën 16:00”, tha Elezi.
Ai njoftoi se pas lansimit të kësaj platforme janë mbajtur disa seanca trajnimi me përfaqësues të subjekteve politike, të cilët janë informuar se si mund ta përdorin këtë platform për aplikimin online.
“Në kuadër të digjitaliziit të operacioneve zgjedhore, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike për aplikim online. Natyrisht se kjo platformë do ta bëjë më të lehtë punën e subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre për certifikim dhe të listës së kandidatëve për deputet. Për përdorim më të lehtë të kësaj platofme, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) ka mbajtur disa seanca trajnimi me përfaqësues të subjekteve politike”, tha Elezi.
Sipas njoftimeve nga KQZ, deri më tani, të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës dhe koalicioneve të deklaruara, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) u ka krijuar dhe dërguar ‘Userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve për deputetë.
Gjithashtu, sipas KQZ-së, Zyra do të krijojë ‘Userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (iniciativat dhe kandidatët e pavarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.
Me qëllim që subjekteve politike (partive politike, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur) t’iu ndihmohet në përdorimin e platformës, nëse kanë nevojë, Zyra ka vënë në dispozicion dy tavolina ndihmëse dhe këtë numër kontakti 038 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00, kanë njoftuar nga KQZ.