75 Mall Live Search
15:31 / E Premte, 11 Dhjetor 2020 / OSH

Pas publikimit të IndeksOnline, deputeti Haxhiu thotë se dorëheqjet nuk mjaftojnë, fton prokurorinë të veproi

IndeksOnline gjatë ditës së sotme ka publikuar skandalin e furnizimit të ambulancave të shtetit nga operator të palicencuar me oksigjen.

Në këtë hulumtim ku tregohet se përveç qytetarëve që detyrohen të blejnë oksigjen nëpër operatorë privatë të palicencuar, për të afërmit e tyre, situata bëhet edhe më alarmante  kur nga këta operatorë privatë të cilët janë të autorizuar për të shitur vetëm oksigjen industrial, furnizohen edhe spitalet e shtetit.

Ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu i cili ka thënë se ka ngritur shqetësimin në lidhje me këtë çështje dhe se tani është koha që jo vetëm të ketë dorëheqje por edhe prokuroria të veprojë.

Postimi i plotë i tij:

Që nga fillimi i pandemisë jam munduar t’i mbështesë pacientët që përveç sëmundjes po përballen edhe me sigurimin e ilaqeve të nevojshme për këtë virus.
Gjithashtu kam ngritur shqetësimin tim për furnizimin e spitaleve tona me oksigjen të dyshimtë nga operatorë të palicencuar dhe kam alarmuar për këtë problem 3 muaj më parë, por që është injoruar nga përgjegjësit institucional.

Sot, pas këtij lajmi të publikuar me fakte, video inçizime nga furnizimi klandestinë me oksigjen, dorëheqjet nuk mjaftojnë, prokuroria duhet të veprojë.