Pas publikimit të videos nga Indeksonline, arrestohet Kadri Rexhepi dhe Rrahim Hashimi
Kadri Rexhepi, personazhi që shihet në videot e siguruara nga Indeksonline duke folur në aferën e mashtrimit, ku Faton Dalladakut i merren para kinse për t’i kryer punë për spitalin privat brenda hapësirës së QKUK më 2012, sot ka përfunduar në pranga të policisë.
Prangat i janë vendosur sot edhe personit tjetër i përfshirë në këtë skemë mashtrimi Rrahim Hashimit.
Në lidhje me aferën e mashtrimit policia po kërkon edhe të dyshuar të tjerë dhe varësisht prej hetimeve pritet të ketë ende të arrestuar.
Në videot ku flitet për lejen e spitalit brenda hapësirës së QKUK-së, një përmbledhje të të cilave e ka publikuar Indeksonline, dy të arrestuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, shihen derisa i marrin para Faton Dalladakut.
Ata janë prezantuar rrejshëm si njerëz të afërt të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit.
Menjëherë pas publikimit të videove, ku shihet mashtrimi duke keqpërdorur emrat nga politika, Veseli ka mohuar që njeh të dyshuarit dhe ka kërkuar që ky rast të zbardhet në tërësi dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.