15:45 / E Enjte, 20 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Pas raportimit nga IndeksOnline, Policia nis hetimet ndaj ish sekretarit Betim Reçica për falsifikim të dokumenteve

Policia e Kosovës ka filluar hetimet ndaj ish-Sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Betim Reçica.

Fillimi i këtij procesi hetimor është konfirmuar për Indeksonline nga Zyra për Media e Policisë së Kosovës.

Policia ka konfirmuar se këtë rast ka nisur në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Sa i përket pyetjes suaj ju njoftojmë se është iniciuar një rast.  Falsifikim i dokumenteve. Hetuesit policor ne  koordinim me Prokurorinë themelore ne Prishtinë, janë duke e trajtuar rastin”, u tha në përgjigjen e dhënë për portalin Indeksonline.

Indeksonline ka publikuar një seri shkrimesh për shkeljet e bëra nga ish-Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, ku njëra ndër më flagrantet ka qenë ajo e falsifikimit të dokumenteve.

Reçica dyshohet se ka falsifikuar një dokument të përvojës së punës për t’u punësuar si sekretar në ministrinë në fjalë.

Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës të zhvilluar dje mori vendim për shkarkimin e Betim Reçicës nga posti i sekretarit në MI-së.

Më poshtë keni edhe raportimin e bërë nga Indeksonline me datën 18 shkurt lidhur me falsifikimin e bërë nga Reçica./Indeksonline/