75 Mall Live Search
20:39 / E Diele, 03 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Pas raportimit nga Indeksonline, prokurori urdhërohet të nis hetimet për vjedhjen nga zyrtarët ndërkombëtarë

Prokurorisë së Prishtinës iu deshën disa orë për të hapur rast për një vjedhje e cila ndodhi sot në një lokal në kryeqytet.

Madje hapja e rastit për vjedhje u bë vetëm pas raportimit nga portali Indeksonline.

Dy zyrtarë ndërkombëtarë u zunë duke vjedhur në një lokal në Prishtinë në orën 15:30, por prokurori i këtij rasti zgjodhi që në mënyrë skandaloze të mos hapte rastin dhe që kjo çështje të përfundojë e mbyllur ende pa  u hetuar.

Por me të marrë informacionin, Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka ka bërë të ditur se ka urdhëruar prokurorin në fjalë, Rrahim Podvorica që të hap rastin lidhur me këtë vjedhje dhe që të bëhen të gjitha hetimet e nevojshme.

“Është e vërtetë. Por tani kam urdhëruar prokurorin që të hap rastin. Pasi të hapet rasti mund të bisedohet për imunitet”, ka thënë kryeprokurori Beka për Indeksonline.

Ndryshe në rastin në fjalë të kyçur janë një shtetase ruse e punësuar në UNMIK si dhe një shtetas i Shqipërisë, i punësuar në të njëjtin institucion të huaj në Kosovë.

Sipas burimeve të Indeksonline, për mos-hapjen e rastit, prokurori Podvorcia në vendin e ngjarjes ishte arsyetuar se të dyshuarit kanë imunitet diplomatik. Edhe pse çështja e imunitetit do të duhej të diskutohej pas hapjes së hetimeve të këtij rasti.

Ndryshe enigmë nga ky rast mbetet fakti se a do të arrihet të gjenden të dy të dyshuarit, pasi është vështirë të lokalizohen pas lirimit që iu bë nga mos-hapja e këtij rasti nga prokurori në fjalë./Indeksonline/