75 Mall Live Search
15:20 / E Premte, 02 Korrik 2021 / OSH

Pas raportimit të Indeksonline, vije reagimi nga BQK

Gjatë ditës së djeshme, IndeksOnline ka raportuar rreth asaj se si Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vazhdon të jetë pa bord që nga vera e vitit të kaluar, ku edhe iu ka skaduar afati shumicës së anëtarëve.

Ndërkohë që me anë të një reagimi, ky institucion public ka dhënë sqarimet e veta, shkruan IndeksOnline.

Sqarimi i plotë:

Në lidhje me shkrimin e datës 1 korrik 2021 me titull “Banka Qendrore e Kosovës pa Bord për më shumë se një vit, merr vendime të kundërligjshme” të portalit tuaj, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dëshiron të sqarojë, se si pasojë e përfundimit të mandatit të tre anëtarëve joekzeuktivë, Bordi i BQK-së ka mbetur pa numrin e nevojshëm të anëtarëve për funksionimin e këtij bordi. BQK-ja nga ana e saj ka realizuar me kohë të gjitha detyrat lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve joekzekutivë të Bordit të BQK-së, duke filluar që nga shpallja e konkursit, seleksionimi, intervistimi dhe procedimi i listës së ngushtë të kandidatëve në Kuvendin e Kosovës. Me gjithë këtë, si pasojë e numrit të pamjaftueshëm të votave (të nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e anëtarëve joekzekutivë të Bordit), Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të bëjë zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të BQK-së, duke pamundësuar kështu funksionimin e këtij Bordi. Aktualisht, në Bordin e BQK-së janë tri pozita të lira, për plotësimin e të cilave BQK-ja ka dërguar në Kuvendin e Kosovës listën e kandidatëve për përzgjedhje, të cilët pritet të procedohen tutje për votim nga Kuvendi i Kosovës. BQK-ja, në të gjitha takimet me institucionet relevante të vendit, në vazhdimësi e ka ngritur urgjencën e plotësimit të vendeve të lira në Bordin e BQK-së, duke theksuar kufizimet që po i shkaktohen funksionimit të këtij institucioni si pasojë e mungesës së kuorumit të Bordit.

Njëra ndër këto kufizime ka të bëjë pikërisht me nevojën e aprovimit të buxhetit të BQK-së, kompetencë kjo e Bordit të BQK-së. Në pamundësi të aprovimit të buxhetit në Bordin e BQK-së, si pasojë e mungesës së kuorumit të këtij Bordi për të marrë vendime, BQK-ja ka shfrytëzuar aktet e brendshme juridike, të cilat parashohin që në rast të pamundësisë së aprovimit të Buxhetit për vitin e ri kalendarik, BQK mund të shfrytëzojë buxhetin e vitit paraprak duke u mbështetur në parimin 1/12, që do të thotë se për secilin muaj të vitit të ri kalendarik mund të shfrytëzohet buxheti i ndarë për muajin përkatës të vitit paraprak. Në takimin informues të anëtarëve të mbetur të Bordit të BQK-së është trajtuar çështja e buxhetit, në të cilin takim është dakorduar që përdorimi i buxhetit të bëhet konform rregullativës në fuqi.

Kujtojmë se kjo vlen vetëm për qëllime të financimit të shpenzimeve operacionale, ashtu edhe siç është aplikuar nga ana e BQK-së gjatë këtij viti. Rrjedhimisht, përdorimi i buxhetit nga ana e BQK-së është në pajtueshmëri me aktet juridike në fuqi.

Pamundësia e shfrytëzimit të buxhetit do të nënkuptonte ndërprerjen e aktiviteteve të BQK-së, me pasoja shumë të rënda për funksionimin normal të ekonomisë, por edhe të vet shtetit të Kosovës. Këto pasoja, mes tjerash, do të përfshinin ndërprerjen e menjëhershme të sistemit të pagesave; ndërprerjen e shërbimeve bankare që BQK-ja ofron për Qeverinë e Kosovës, përfshirë këtu edhe pagesat në emër të qeverisë; ndërprerjen e procesit të furnizimit të ekonomisë me para të gatshme, si dhe ndërprerjen e procesit të mbikëqyrjes së institucioneve financiare, proces ky i domosdoshëm për të siguruar stabilitetin financiar, duke përfshirë ruajtjen e depozitave të qytetarëve dhe bizneseve dhe interesave të të siguruarve të kompanive të sigurimeve.

Prandaj, BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha veprimet që i mundëson korniza ligjore për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të saj, që është një ndër parakushtet më të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit makro-financiar si objektivë parësore e përcaktuar me ligjin për BQK-në, si dhe mundësimin e funksionimit normal të ekonomisë dhe shtetit të Kosovës.