75 Mall Live Search
16:30 / E Mërkurë, 07 Janar 2026 / S Z

Pas reshjeve të shiut, IKSHPK njofton për gjendjen e ujit të pijes

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, po e përcjell nga afër situatën e furnizimit me ujë të pijes në të gjithë territorin e Kosovës, pas reshjeve të fundit të shiut.

IKSHPK, përveç marrjes së mostrave të rregullta dhe të jashtëzakonshme të ujit dhe analizimit laboratorik të tyre, është në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë rajonale të ujësjellësit, me qëllim që qytetarëve t’u sigurohet ujë i sigurt për pije sa më shpejt.

Sipas informatave të datës 7 janar 2026, gjendja e furnizimit me ujë të pijes paraqitet si më poshtë:

Rajoni i Prishtinës

Fabrika e ujit në Shkabaj (Shkabaj/Shkabaj) nuk punon për shkak të turbullirës së madhe të ujit në hyrje të fabrikës. Fabrika në Bivolak gjithashtu nuk punon për të njëjtën arsye.

Sistemi i ujit në Graçanicë/Badovc punon normalisht. Sistemi në Albanik/Batllavë punon normalisht.

Uji në rrjet po kontrollohet vazhdimisht. Për momentin nuk ka probleme me cilësinë e ujit të pijes.

Rajoni i Prizrenit

Burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit është lëshuar vetëm për nevoja sanitare (larje dhe higjienë), por nuk është i sigurt për pije. Burimet e tjera, si Cvilen dhe Soz, uji është I përdorshëm.

Në Suharekë dhe Malishevë, uji i rrjetit është jashtë përdorimit për pije.

Në Dragash deri tani nuk ka probleme me ujin e pijes.

Rajoni i Gjilanit

Në qytetin e Gjilanit, uji i pijes është në rregull.

Në Kamenicë, në fshatin Berivojcë, janë vërejtur nitrate të rritura. Qytetarët janë udhëzuar që të mos e përdorin ujin për pije.

Në Viti, përdorimi i ujit është ndërprerë për shkak të turbullirës.

Rajoni i Pejës

Pas reshjeve të shiut, janë paraqitur turbullira në disa burime të ujit:

Në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë, furnizimi me ujë është ndërprerë që nga dita e djeshme. Për të siguruar ujë më të pastër, janë futur në përdorim puset ekzistuese.

Në komunën e Pejës, janë vërejtur turbullira në burimin e Drinit të Bardhë në Radac. Sot situata në Radac është përmirësuar dhe furnizimi me ujë vazhdon normalisht.

Rajoni i Ferizajt

Gjendja e ujit të pijes në Ferizaj është raportuar se është brenda standardeve dhe i sigurt për pije.

Rajoni i Gjakovës

Furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për pije. Mostrat e kontrolluara në laborator tregojnë se uji është pa baktere të dëmshme. Probleme ka pasur në disa burime lokale si: Rekë e Keqe, Demjan, Opterushë, Hoqe e Madhe, Zaqishtë dhe Hoqe e Madhe. Në këto vende gjendja vazhdon e njëjtë dhe uji nuk duhet të përdoret për pije.

Rajoni i Mitrovicës

Sipas informatave nga KRU Mitrovica, uji ende nuk është dhe nuk do të lëshohet për pije për një periudhë të caktuar, sepse turbullira e ujit është shumë e madhe dhe nuk mund të trajtohet si duhet. Për këtë arsye, uji aktualisht nuk është i sigurt për konsum human.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) rekomandon qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin e tyre:

Qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur (për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik), rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt.

Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut.

Shfrytëzoni ujin vetëm nga burimet e sigurta.

Ndiqni udhëzimet zyrtare për përdorimin e ujit në komunën tuaj.