09:17 / E Martë, 12 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Pas SHBA-së, Turqia eksportuesi më i madh i serialeve

150 filma serikë të Turqisë, ekpsorutesit më të madh të këtij zhanri të filmave pas SHBA-së, deri sot janë shikuar në 146 vende në Evropë, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore, Afrikë dhe Amerikën Veriore dhe Jugore, shkruan Anadolu Agency.

Sipas të dhënave të përpiluara nga AA, serialet e prodhuara në Turqi janë pritur me interes nga mbi 700 milionë shikues nga Rusia deri në Kinë, nga Koreja deri në Amerikën Latine.

Seriali, që është shikuar në më së shumti vende është “Sulejmani i Madhërishëm” (Muhteşem Yüzyıl). Ky film serik është shikuar nga mbi 500 milionë njerëz në 70 vende të ndryshme.

Sipas të dhënave të vitit të kaluar, nga eksporti i serialeve turke janë gjeneruar të ardhura prej 500 milionë dollarësh. Produksionet që kanë sjell të ardhurat më të mëdha janë “Kara Para Aşk”, “Kuzey Güney”, “Karadayı”, “Öyle Bir Geçer Zaman ki”, “Adını Feriha Koydum”, “Gümüş”, “Fatmagül’ün Suçu Ne”, “Ezel”, “Aşk-ı Memnu”, “Diriliş Ertuğrul” dhe “Kara Sevda”.

Ndër vendet ku filmat serikë turq janë shitur më së shumti shquhen Kili, Meksika dhe Argjentina.

“Aşk-ı Memnu”, prodhimi i vitit 1975, seriali i parë i shitur jashtë vendit

Seriali i parë turk i eksportuar ndërkombëtarisht ishte seriali i TRT-së “Aşk-ı Memnu”, prodhim i vitit 1975, i cili u shit në Francë në vitin 1981. Ndërkaq, në vitin 1999 në Kazakistan filloi të shitet episodi i parë i filmit “Deli Yürek”, ndërkohë që në vitin 2008 serialet turke fituan popullaritet të madh edhe në botën arabe.

Episodi final i serialit “Gümüş”, i cili filloi të shfaqet në vitin 2005, u shikua nga 85 milionë shikues me sinkronizim në gjuhën arabe në vitin 2008.

Seriali “Një mijë e një net” (Binbir Gece), i shfaqur në afro 80 vende, ishte seriali i parë që filloi të thyente rejtingjet në aspekt global.

Po ashtu, “Sulejmani i Madhërishëm”, krahas sukseseve në Lindjen e Mesme, arriti në 500 milionë shikues në shumë vende të tjera të botës, përfshirë edhe Japoninë.

Këto seriale janë në mesin e produksioneve më të shikuara në shumë vende arabe, përfshirë Jordaninë, Irakun, Katarin, Marokun, Tunizinë dhe Algjerinë, ndërsa përkundër ndalesës në Arabinë Saudite dhe Egjipt, ato vazhdojnë të shikohen përmes Internetit.

Serialet turke zënë vend të lartë në rejtingje edhe në vendet turkofone, si Azarbajxhani, Turkmenistani, Kazakistani, Kirgistani dhe Uzbekistani, si dhe në vendet evropiane si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Polonia.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka thënë në rrjetet sociale se përcjell serialin turk “Diriliş Ertuğrul”, ndërsa gjatë një vizite në Turqi kishte vizituar vendin ku u xhirua ky film.

Gjithashtu, ylli i futbollit Lionel Messi është shprehur në rrjetet sociale se fëmijët e tij e shikojnë serialin “Kara Para Aşk”.

Pritjet janë që të ardhurat nga eksporti i serialeve të arrijnë në një miliard dollarë në vitin 2023.

Netflix interesim për serialet turke

Njëkohësisht, Turqia gjendet në mesin e pesë vendeve që eksportojnë më së shumti seriale përmes televizioneve dhe platformave online, së bashku me Britaninë, SHBA-në, Francën dhe Gjermaninë.

Një nga faktorët që lehtësojnë eksportin e serialeve dhe mundësojnë që të rinjtë të shfaqin interesim është edhe prania e tyre në platforma alternative në internet, siç janë YouTube, Netflix dhe Puhu.

Ndërkohë, edhe platforma Netflix, me mbi 150 milionë abonentë në mbi 190 vende, nuk ka ngelur pa shfaqur interesim për serialet turke dhe tregun turk.

Kjo platformë ka blerë dhe shtuar në kuadrin e saj shumë seriale televizive turke, përfshirë serialet “Leyla ile Mecnun”, “Suskunlar”, “Karadayı” dhe “Ezel”.

Netflix ka bërë edhe prodhimin e filmit të parë origjinal turk të titulluar “Muhafız”, pasuar nga seriali tjetër “Atiye”.