Pas shefit të Mercedes-Benz, dorëhiqet edhe shefi i BMW-së
Shefi i BMW, Harald Krueger, njoftoi se nuk do të kërkojë të zgjasë kontratën e tij pas skadimit më 30 prill 2020, duke bërë që marka e makinave gjermane të kërkojë pasardhësin e saj në muajt në vijim.
Krueger tha se dëshiron “të ndjekë përpjekje të reja profesionale dhe të shfrytëzojë eksperiencën time të ndryshme ndërkombëtare për projekte të reja”.
“Gjithnjë ka qenë një nder i vërtetë për mua që të punoj me këtë ekip të jashtëzakonshëm dhe për ta vendosur Grupin BMW në një rrugë drejt një të ardhmeje të suksesshme gjatë transformimit më të rëndësishëm të kësaj industrie”, shtoi ai.

“Harald Krueger ka demonstruar përkushtim të palëkundur për BMW Group në të gjitha pozicionet e ndryshme që ai ka mbajtur. Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për angazhimin e tij të madh personal. Kam respekt dhe mirëkuptim të plotë për vendimin e tij dhe për planet e tij të mëtejshme “, tha Dr Norbert Reithofer, Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të BMW.
BMW ka refuzuar të komentojë mbi spekulimet rreth kandidatëve të mundshëm të tyre, duke thënë vetëm se çështja do të diskutohet në një takim të bordit mbikëqyrës më 18 korrik. /IndeksOnline/