Pas shumë përpjekjeve dështon sërish zgjedhja e nënkryetarit të kuvendit nga Lista Serbe

Pas mbi një muaji pauzë, Kuvendi i Kosovës u rikthye sot me një seancë të re konstituive, në tentativë për të përfunduar procesin që ka ngecur që nga 15 prilli.
Seanca kishte vetëm një pikë të rendit të ditës: Zgjedhja e nënkryetarit të kuvendit nga radha e komunitetit serb.
Por edhe në këtë seancë dështoi zgjedhja e nënkryetarit nga Lista Serbe, pasi që deputetët e saj nuk morën votat e mjaftueshme.
Nëntë deputetët e Listes Serbe nuk arritën t’i merrnin votat e mjaftueshme për nënkryetar të kuvendit.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të plotë, ka konstatuar se “seanca konstituive e kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Kryetari i kuvendit, Dimal Basha, kishte përmbyllur seancën e kaluar më 30 gusht pa zgjedhjen e këtij nënkryetari, duke lënë procesin pezull për më shumë se një muaj.