Pas sulmit ndaj Lladrovcit, PDK në Drenas kërkon të mbikqyret fushata e tyre
Partia Demokratike e Kosovës- Dega në Drenas përmes një komunikate për media ka ftuar institucionet të marrin pjesë në mbikëqyrjen e fushatës dhe procesit zgjedhor në Drenas
“Ftojmë personat e autorizuar për përcjelljen e fushatës zgjedhore që të marrin pjesë në të gjitha tubimet elektorale të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, të përcjellin ecurinë e fushatës dhe të jenë sikur deri tash objektiv në raportim”, thuhet në njoftimin e kësaj dege, transmeton AktivPress.
Reagimi i PDK-së në Drenas vjen pas sulmit ndaj stafit të kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovcit më datë 9 tetor pas një tubimi zgjedhor në fshatin Tërstenik të kësaj komune.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka marrë në pyetje Naim Bazajn, kryetar i kuvendit komunal të Drenasit, pas akuzave që Lladrovci ka bërë ndaj tij lidhur me sulmin e veturës së tij.
Duke mos specifikuar arsyen e këtij reagimi, PDK në këtë komunë shprehet se askush nuk do të mund ta ndalë “vullnetin e tyre demokratik” në këto zgjedhje.
“Kryetari aktual dhe i ardhshëm i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe Lista zgjedhore e PDK-së, përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të Drenasit dhe askush nuk do të mund ta ndal këtë vullnet demokratik”, thuhet në reagim.
Dega e kësaj partie fton edhe trupin diplomatik të akredituar , OSBE-në, organizatat joqeveritare dhe organizmat tjerë, “të përcjellin rregullësinë e procesit të fushatës zgjedhore dhe procesin zgjedhor ditën e zgjedhjeve më 22 tetor”./AktivPress