Pas tërmetit, hapet kopshti e çerdhja e re për 150 fëmijë
Një kopsht dhe një çerdhe e re është lajmi më i mirë për Kombinatin, pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i disa ditëve më parë. Por, ndonëse Bashkia e Tiranës po vijon në terren procedurat për rindërtimin apo rikonstruksionin e banesave të prekura nga lëkundjet e tokës, kryebashkiaku Erion Veliaj përuroi kopshtin dhe çerdhen e re Nr. 34, e cila frekuentohet nga 150 fëmijë.
Risia e këtij kopshti është jo vetëm ofrimi i shërbimit psikosocial, por edhe prania e mjekut që monitoron zhvillimin fizik të fëmijëve, e veçanërisht të atyre me nevoja të veçanta.
“Jam shumë i lumtur që logopedistët, psikologët, i gjithë stafi ynë ndihmës, do t’i kushtojë një hapësirë të veçantë fizike, por edhe kohore, të gjithë engjëjve tanë që kanë aftësi ndryshe, të cilët meritojnë të njëjtin shans për sukses, si gjithë fëmijët e tjerë të Tiranës”, u shpreh Veliaj.
Hapja e këtij kopshti vjen menjëherë pas tërmetit, ndërkohë që edukatoret dhe psikologët po kujdesen që fëmijët ta kalojnë më lehtë atë.
“Fakti që po e hapim pas një fatkeqësie natyrore, pra fëmijët e filluan javën pas tërmetit me një kopsht të ri, me mësuese, me edukatore, me psikologë, me asistentë që shpjegojnë edhe nëpërmjet lojës se çfarë ndodh kur tronditet toka, besoj se tranzicionin nga java traumatike e kanë kaluar më të butë se kushdo tjetër, në këtë hapësirë fantastike”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku siguroi të gjithë banorët e prekur nga pasojat e tërmetit se banesat e tyre të dëmtuara do të rindërtohen, falë edhe bashkëpunimit me komunitetin e biznesit.
“Shumica e shtëpive që janë prishur nga tërmeti, janë shtëpi kryesisht të ndërtuara në mënyrë primitive. Doja shumë që të vazhdojmë edhe me adoptimin e disa hapësirave që kemi identifikuar këtu në Kombinat, apo në zonat përreth. Pra, për të gjithë donatorët që duan të adoptojnë një shtëpi në Kombinat, të sigurohemi që, siç kemi bërë shtëpinë e përbashkët, ashtu edhe shtëpitë individuale t’i bëjmë në kohë rekord, para Vitit të Ri, qoftë për banesat më të dëmtuara, qoftë me disbursimin e parave për banesat më pak të dëmtuara”, u shpreh Veliaj.
Rindërtimi i kopshtit dhe çerdhes u mundësua nga kompania “Integrated Energy BV SPV”. Kjo godinë ka një zyrë psikologu, dhoma fjetje për latantë dhe dhomë të dedikuar për fëmijët me aftësi të veçanta./tch/