75 Mall Live Search
15:39 / E Martë, 30 Dhjetor 2025 / P M

Pas vdekjes së Brigitte Bardot, nis beteja për trashëgiminë: Çfarë mbeti nga pasuria e ikonës së kinemasë

Me ndarjen nga jeta të Brigitte Bardot, hapet çështja delikate e trashëgimisë së aktores. Sipas faqes së specializuar Celebrity Net Worth, pasuria e saj llogaritej në rreth 65 milionë dollarë, ku përfshihet mbi të gjitha “La Madrague“, rezidenca e saj e famshme në Saint Tropez.

Megjithatë, biografi i saj, Yves Bigot, ka shpjeguar më parë se yllit të kinemasë i kishte mbetur shumë pak pasuri pasi u largua nga ekrani më shumë se 50 vite më parë.

“Ajo refuzoi praktikisht çdo kontratë që iu propozua”, tregonte Bigot, duke kujtuar se diva kishte nënshkruar vetëm dy marrëveshje të rëndësishme: Një për çantat Lancel dhe një tjetër për një markë veshjesh në internet.

Pjesa më e madhe e pasurisë shkoi për fondacionin e saj për mbrojtjen e kafshëve.

“Ajo shiti në ankand të gjitha pronat e saj të paluajtshme për të lançuar fondacionin dhe më pas la peng rezidencën ‘La Madrague’”, shton biografi. Në vitin 2020, BB nxori në shitje edhe një vilë në Kanë, me vlerë 6 milionë euro. Vetë aktorja deklaronte në vitin 2006: “Pasuria më dëshpëron”.

Raportet me djalin dhe testamenti

Djali i saj 65-vjeçar, Nicolas-Jacques Charrier, i cili jeton në Norvegji dhe me të cilin aktorja nuk ka pasur marrëdhënie të mira, do të marrë “pjesën që i takon me ligj”. Biografi thekson se kjo shumë nuk do të jetë e madhe.

Mbetet për t’u parë nëse trashëgimtari i vetëm do të nisë një betejë ligjore kundër fondacionit të nënës së tij ose kundër bashkëshortit të fundit, Bernard d’Ormale, i cili gjithashtu mund të përfitojë një pjesë të pasurisë.

Fjalët e fundit dhe dëshira për varrimin

D’Ormale qëndroi pranë saj deri në momentin e fundit.

“Ai dëgjonte frymëmarrjen e saj normale. Pastaj, në orën 05:55 të mëngjesit, ajo i pëshpëriti një fjalë të fundit dashurie,” tregoi Bruno Jacquelin, drejtori i komunikimit të fondacionit.

Në vitin 2018, aktorja njoftoi vullnetin e saj për t’u varrosur në kopshtin e shtëpisë së saj në Saint Tropez. Ajo donte të shmangte varrezat e qytetit, që siç shprehej me stilin e saj të drejtpërdrejtë, “një turmë budallenjsh” të mos i shkatërronin varrin e familjes.