15:13 / E Enjte, 05 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Pas vendimit për Teodosijeviqin, Lista Serbe paralajmëron largim nga të gjitha institucionet në Kosovë

Ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Teodosijeviq është dënuar me dy vjet burgim, pasi i njëjti është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Ai akuzohej për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall sot nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Pas këtij vendimi, Lista Serbe  kanë paralajmëruar braktisje të të gjitha institucioneve lokale dhe qendrore në Kosovë, shkruan Indeksonline.

“Do t’i lëmë të gjitha institucionet në nivel lokal dhe qendror, nëse vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë për Ivan Teodosijeviq, i dënuar nga autoritete e Kosovës. Ne  konsiderojmë se është një aktgjykim për të gjithë popullin serb, por edhe një tregues që ata nuk na shohin si partnerë në këto institucione, por padyshim se dëshirojnë të vazhdojnë me presion shtesë mbi popullin serb”, kështu janë deklaruar nga Lista Serbe.

Në një konferencë të jashtëzakonshme të mbajtur nga Lista Serbe, Goran Rakiqi tha se ky vendim dëshiron që të ndikojë që të ndalojë serbët për të treguar të vërtetën.

“Teodosijeviqi është përfaqësues legjitim i popullit të tij”, tha Rakiqi./Indeksonline/