21:28 / E Mërkurë, 20 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Qemajl Mustafa njofton se po hy në garë për kryetar të degës së PDK-së në Gjilan

Ish-kryetari i komunë së Gjilanit, Qemajl Mustafa ka bërë të ditur se do t’i futet garës për kryetar të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan.

Mustafa ka njoftuar se pas konsultimeve me strukturat e partisë se degës së PDK-së në Gjilan dhe me qytetarë të komunës mori vendimin për kandisim. Tutje ai shtoi se po përgatit një alternativë të re për qytetarët e kësaj komune.

Mustafa që vite më parë udhëhoqi me Gjilanin, duket se do të sfidojë kryetarin e tanishëm të kësaj komune, Lutfi Haziri.

Ndryshe duhet përkujtuar që gjatë ditës së djeshme Gjykata e Apelit mori vendim që gjykimi ndaj Mustafës dhe 38 të akuzuarve të tjerë të vazhdojë.

Pavarësisht kërkesave të mbrojtjes, Apeli vendosi që gjykata e shkallës së parë të vazhdojë më tutje me procedim penal dhe pastaj të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm. Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngarkuar Mustafën dhe 38 të akuzuarit e tjerë me veprat penale-krim i organizuar, keqpërdorim i pozitë zyrtare dhe keqpërdorim i autorizimit në ekonomi. E sipas Mustafës ky vendim është politik dhe denigrues.

Postimi i plotë i Qemajl Mustafës:

Të nderuar miq, aktivistë e simpatizantë të degës së PDK-së në Gjilan dhe qytetarë të Komunës së Gjilanit,

Besojmë, jeni të njoftuar se pas pak ditësh do të fillojë procesi zgjedhor brenda degës së PDK-së në Gjilan.

Nëpërmjet kësaj paraqitje publike dua t’ju njoftoj se pas konsultimeve me strukturat e partisë në degë e në qendër, me qytetarë të komunës tonë dhe pas vlerësimit të kërkesave aktuale të degës së PDK-së në Gjilan dhe shoqërisë së komunës në përgjithësi, kam vendosur që të shpreh pretendimin tim për udhëheqjen e degës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Pavarësisht sfidave personale dhe kolektive nga e kaluara dhe sidomos nga ato që na presin, konsideroj që vullneti i qytetarëve dhe anëtarësisë është themeli i motivimit për mua dhe për secilin prej nesh që të marim përgjegjësi edhe në kohë e periudha të rënda për shoqërinë tonë.

Ju ftoj sinqerisht të gjithëve, pa dallim përkatësie politike deri më sot, ta shprehni vullnetin dhe të merrni pjesë në procesin tonë zgjedhor i cili do të jetë i hapur dhe plotësisht demokratik. Dekadën e Re do ta fillojmë dhe ndërtojmë së bashku, me mendësi reformuese, prosperuese dhe zhvillimore!

Këtë angazhim timin në këtë moment, me plotë zemërgjërësi, ia dedikoj plotësisht qytetarisë së komunës tonë dhe të shoqërisë së Kosovës pa dallim.

Fitorja e qytetarëve të Gjilanit s’ka alternativë!

I juaji përherë,

Qemajl Mustafa