75 Mall Live Search
13:57 / E Martë, 06 Janar 2026 / S Z

Pas Venezuelës, Trump ia mësynë Kolumbisë, Kubës, Meksikës e ndoshta edhe Iranit e Grenlandës

E nisi me Nikolas Maduron e Venezuelën, por Donald Trump mund të ndërhyjë edhe ndaj liderëve e vendeve tjera.

BBC ka bërë një analizë, duke u bazuar në ambiciet për politike të jashtme të presidentit amerikan, ku thuhet se shefi i Shtëpisë së Bardhë mund të intervenojë, në një mënyrë apo tjetër, edhe në Kolumbi, Kubë, Meksikë, Iran dhe Grenlandë, transmeton KosovaPress.

Kjo e fundit, ku Shtetet e Bashkuara kanë një bazë ushtarake, është radhitur si e para në listë.

“Na duhet Grenlanda për arsye të sigurisë kombëtare”, ka thënë Trump, duke shtuar se rajoni ku ndodhet ky territor i ngrirë, është “i mbuluar” nga anije ruse dhe kineze.

Ishulli i madh arktik është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa ka pasuri të mëdha të mineraleve të rralla, që janë thelbësore për prodhimin e telefonave inteligjentë, automjeteve elektrike dhe pajisjeve ushtarake.

Por, kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen e ka quajtur idenë e Trump për kontroll amerikan mbi ishullin një “fantazi”.

Analiza e BBC thotë se “çdo përpjekje amerikane për të marrë Grenlandën do ta vinte SHBA-në në konflikt me një tjetër anëtar të NATO-s, duke rrezikuar Aleancën”.

Vendi i dytë ku mund të intervenojë Trump, del të jetë Kolumbia. Vetëm disa orë pas operacionit në Venezuelë ku u rrëmbye presidenti i këtij shteti dhe bashkëshortja e tij, presidenti amerikan paralajmëroi homologun majtist, Gustavo Petro që të “ruajë b…n e tij”.

Fqinja perëndimore e Venezuelës, ka rezerva të mëdha nafte dhe është një prodhuese e rëndësishme e arit, argjendit, smeraldeve, platinit dhe qymyrit. Ajo është gjithashtu një qendër kyçe për trafikun e drogës në rajon, veçanërisht kokainës.

Amerika i ka vënë sanksione Petros në tetor, me pretendimin se ai po lejonte kartelët e drogës të “lulëzonin”.

“Kolumbia drejtohet nga një njeri i sëmurë që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Trump. “Ai nuk do ta bëjë këtë për shumë gjatë”.

I pyetur nga gazetarët nëse SHBA-ja do të kryente një operacion kundër Kolumbisë, Trump u përgjigj shkurt duke thënë se dicka e tillë “i tingëllon mirë”.

Shtetet e Bashkuara mund të shfaqin forcën e tyre masive edhe ndaj Iranit, ani se këtë shtet ka ditur ta “nguc” edhe më parë.

Qeveria e Republikës Islamike po përballet me protesta massive ndërsa Trump paralajmëroi autoritetet atje se do të “goditen shumë fort” nëse do të vdesin më shumë protestues.

“Po e ndjekim nga afër. Nëse fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, mendoj se do të goditen shumë fort nga Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Vitin e kaluar Amerika, bashkë me Izraelin, goditën objekte bërthamore në Iran.

Ky shtet ishte tema kryesore e bisedimeve në një takim në Mar-a-Lago mes Trumpit dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu. Mediat amerikane raportuan se ky i fundit ngriti mundësinë e sulmeve të reja kundër Iranit në vitin 2026.

Mund të tingëllojë e habitshme, por nuk është e papritur që shefi i Shtëpisë së Bardhë të autorizojë ndonjë aksion edhe në Meksikë, përgjatë kufirit me të cilin bënte plane të ndërtonte një kufi, qysh në mandatin e tij të parë si president.

E në ditën e tij të parë pas rikthimit në pushtet, më 2025, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ta riemërtuar Gjirin e Meksikës si “Gjiri i Amerikës”, ndërsa ka pretenduar se autoritetet e vendit fqi nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndalur rrjedhën e drogës dhe emigrantëve të paligjshëm drejt SHBA-së.

“Droga po futet shumë nga Meksiko dhe neve do të na duhet të bëjmë dicka”, tha ai duke shtuar se kartelët atje janë “shumë të fortë”.

Trump rikonfirmoi se ka ofruar dërgimin e trupave amerikane në Meksikë për të luftuar këta kartelë, por presidentja Claudia Sheinbaum e ka refuzuar, të paktën publikisht, çdo mundësi për ndërhyrja a veprim ushtarak amerikan në territorin meksikan.

Mundësitë janë evidente që Kuba, një tjetër vend fqi i Amerikës, i cili ndodhet vetëm 145 kilometra në jug të Floridës, të përjetojë ndonjë ndërhyrje të shtetit më të fortë në botë, ani se është nën sanksione të Uashingtonit zyrtar që nga fillimi i viteve 1960.

Trump sugjeroi të dielën se ndërhyrja ushtarake mund të mos jetë e domosdoshme, sepse Kuba, sic deklaroi, është “gati të bjerë”.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë veprim pasi duket sikur po rrëzohet”, tha ai. “Nuk e di nëse do të rezistojë gjatë, por Kuba tani nuk ka të ardhura. I merrnin të gjitha të ardhurat nga Venezuela, nga nafta venezueliane”.

Me I ashpër se presidenti, ndaj Kubës, u shfaq sekretari i Shtetit, Marco Rubio, I cili vetë është fëmijë I emigrantëve kubanë.
“Nëse do të jetoja në Havanë dhe do të isha në qeveri, do të isha i shqetësuar, pak”, tha ai. “Kur presidenti flet, duhet ta marrësh seriozisht”.