75 Mall Live Search
19:54 / E Mërkurë, 04 Shkurt 2026 / MSH1

Pas vërshimeve, mijëra qytetarë dhe biznese presin ndihmë financiare nga shteti

Pas vërshimeve të fundit që kanë përfshirë disa komuna të Kosovës, qytetarët, bizneset dhe fermerët kanë nisur të dorëzojnë një numër të madh kërkesash për kompensim dëmesh.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, deri tani janë raportuar rreth 3,000 aplikime, por ky numër pritet të rritet pasi procesi i pranimit dhe vlerësimit të kërkesave ende nuk ka përfunduar në shumicën e komunave.

Drejtori ekzekutiv i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, ka thënë për IndeksOnlinen se komunat me numrin më të madh të kërkesave janë: Peja (rreth 420 kërkesa), Gjakova (334 kërkesa), Skenderaj (320 kërkesa), Fushë-Kosova dhe Drenasi (mbi 300 kërkesa secila), Klina (270 kërkesa), Malisheva (225 kërkesa), Mitrovica (230 kërkesa), Lipjani (176 kërkesa), Rahoveci (142 kërkesa), Prizreni (140–150 kërkesa), Suhareka (mbi 100 kërkesa), Ferizaj (20 kërkesa), Prishtina (20–30 kërkesa).

Ibrahimi pohon se Komuna e Mamushës nuk ka raportuar kërkesa për kompensim, pasi dëmet kanë qenë minimale dhe kryesisht në fusha të hapura.

Nga vlerësimet e pranuara prej komunave, Ibrahimi thotë se vlera e dëmeve sillet nga 110 mijë deri në 800 mijë euro.

“Nga këto komuna, vlera e raportuar deri tani arrin afërsisht 1.9 milionë euro, por ky është vetëm një vlerësim i pjesshëm, pasi shumica e komunave ende janë në fazën e verifikimit dhe vlerësimit të detajuar të dëmeve”, u shpreh Ibrahimi.

Ai pohoi se kërkesat e qytetarëve për kompensim përfshijnë dëme në ekonomi familjare, bujqësi, biznese private dhe infrastrukturë publike.

“Bazuar në këtë situatë, Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se komunat nuk kanë kapacitete buxhetore për të përballuar vetë këtë barrë financiare. Është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të aktivizojë mekanizma emergjentë financiarë dhe të krijojë një fond të posaçëm për kompensimin e dëmeve. Pa një mbështetje konkrete nga niveli qendror, mijëra familje dhe biznese do të mbeten pa ndihmën e nevojshme për rikuperim”, deklaroi Ibrahimi./IndeksOnline/