75 Mall Live Search
21:51 / E Enjte, 14 Gusht 2025 / Burim

Pas vizitës në Ballkan, Grenelli takohet me Trumpin

Emisari i Shteteve të Bashkuara për Misione të Veçanta, Richard Grenell, është takuar me presidentin amerikan, Donald Trump, në Qendrën Kulturore Kombëtare Amerikane – “Kennedy Center”, të cilën e udhëheqë vet Grenell.

Pas qëndrimit disa ditor në Ballkan, Grenelli e priti Trumpin në “Kennedy Center”, për të cilën tha se do të kthehet në ditët e saj të lavdisë.

“Donald Trumpi e ka shpëtuar Qendrën Kennedy, e cila financiarisht dhe fizikisht nuk është duke shkuar mirë por Presidenti Trump e ka bindur Kongresin t’i alokojë 257 milionë për ta shpëtuar. Ajo do të kthehet në ditët e saj të lavdisë. Sot, ai erdhi për të na dhënë ide se si më së miri t’i shfrytëzojmë paratë. Askush s’është më i mirë në ndërtim dhe rindërtim sesa Donald J.Trump”, shkroi Grenell në një postim në rrjetin e tij social “Instagram”.

Gjatë vizitës së tij në Ballkan, Grenell dha një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën, ku ndër të tjera akuzat e Speciales ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi i ka quajtur si të çmendura.

Po ashtu, Grenelli në intervistën e dhënë për Klan Kosovën tha se Kosova duhet të ketë një qeveri që është e gatshme për investime dhe jo për politikë.