75 Mall Live Search
09:11 / E Martë, 02 Prill 2019 / indeksADMonline

Pas zgjedhjes në formacionin më të mirë në botë, Aliti flet për debutimin në Suedi

Mbrojtësi kosovar Fidan Aliti u zgjodh në formacionin më të mirë në botë nga magazina e njohur “France Football”, pas ndeshjeve kualifikuese për Euro 2020.

25 vjeçari në fundjavën që lëmë pas debutoi në Suedi me skuadrën Kalmar. Qendërmbrojtësi ishte startues në disfatën e papritshme ndaj Sirius 0-2.

Në një intervistë për Indeksonline Aliti deklaroi se futbolli suedez po i duket afërsisht në një nivel me futbollin zviceran.

“Në debutim kam prit shumë më tepër sepse ka qenë ndeshja e parë e edicionit në shtëpi, stadiumi ka qenë i mbushur, të gjitha biletat janë shitur. E filluam shumë mirë ndeshjen dhe patëm disa raste për shënim, por kundërshtarët realizuan nga rasti i parë. Sa i përket kushteve gjithçka është shumë mirë, gati si në Zvicër. Është vështirë të vlerësohet sepse kam luajtur vetëm 1 ndeshje por po më duket në një nivel me Zvicrën. Falënderoj bashkëlojtarët sepse më kanë pritur shumë mirë. Jam i kënaqur sepse menjëherë kam zënë vend në formacionin startues” deklaroi Aliti.

Në afatin kalimtar të janarit, Aliti u transferua nga Skënderbeu i Korçës në Suedi te Kalmari. /Indeksonline/