Pas zhurmës që shkaktoi ardhja e tij, dalin në shitje biletat për koncertin e Goran Bregovic

Ftesa e Goran Bregovic në “Festën e Birrës” në Korçë ka shkaktuar polemika të shumta.
Disa artistë kanë reaguar me tone të ashpra kundër performancës së tij, ndërsa të tjerë i qëndrojnë mendimit se këngëtari nuk ka qenë kurrë kundër shqiptarëve dhe se muzika duhet të bashkojë e jo të krijojë përçarje. Ndërkohë, Bashkia e Korçës deklaroi disa ditë më parë se Goran Bregovic do të vijë në Shqipëri pasi gjithçka është e mbyllur dhe biletat janë prerë.
Pavarësisht zhurmës që shkaktoi ardhja e artistit boshnjak në “Festën e Birrës”, biletat për koncertin e tij kanë dalë tashmë në shitje! Përmes një statusi në rrjete sociale, kompania “Vivere” ka lajmëruar edhe njëherë pjesëmarrjen e Bregovic më 22 gusht, duke i bërë thirrje ndjekësve të blejnë biletat, shkruan News31.
“Ritmi i festave të troket menjëherë në mendje sapo përmend Korçën, qytetin e serenatave, karnavaleve dhe atmosferës që nuk njeh stinë për turistët. Muzikë që do t’ju bëjë të hidheni në ajër, të lodroni e të kërceni me ritmet e jashtëzakonshme, ky është premtimi i qytetit që njihet si Parisi i vogël. Artistëve të njohur i bashkohet edhe Goran Bregoviç me orkestrën e tij, artisti që numëron mbi 20 albume muzikore, i duartrokitur edhe në Royal Albert Hall dhe me qindra koncerte në vit, rikthehet në Shqipëri, gati për të performuar më 22 gusht në Korçë. Ndaj, mos prisni gjatë, por shënojeni këtë datë dhe ejani në Korçën e dashur , Korçën e mikpritjes , të ngrini duart lart me ritmet e një bande profesionistësh që do të luajnë muzikë për ju!”, shkruhet në postimin e Vivere.