75 Mall Live Search
18:45 / E Shtunë, 30 Nëntor 2024 / MSH

Pas Zubin-Potokut, Kurti viziton Vushtrrinë e Obiliqin, ku gjenden kanalet furnizuese të “Ibër Lepencit”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot fshatin Varagë të Zubin-Potokut, aty ku mbrëmë u sulmua me 15 kilogramë eksplozivë kanali i ujësjellësit të “Ibër Lepencit”.

Pas mobilizimit të njësiteve sanuese dhe atyre të sigurisë, Kurti vizitoi edhe pikat statike dhe patrullat ushtarake në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë.

Kryeministri u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, shkruan IndeksOnline.

Atje, pati rastin të bashkëbisedojë me pjesëtarë të FSK-së, komandantin udhëheqës të tyre, dhe banorë të rrethinës.

Aty u vizituan nga afër kanalet që furnizohen me ujë nga “Ibër Lepenci” e që shërbejnë për ftohjen e elektronave të termocentraleve që prodhojnë energji elektrike.

 “Jemi të përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, u shpreh mes të tjerash Kurti.

Ky është postimi i plotë i tij në Facebook:

Ndër vendimet e dala nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë, që e mbajtëm në orët e para të mëngjesit ishte angazhimi i FSK-së në mbështetje të autoriteteve civile përmes detyrave të patrullimeve dhe vëzhgimit të pikave të infrastrukturës kritike në lokacione të ndryshme në Kosovë.

Pas vizitës në Varagë të Zubin Potokut, kësaj radhe me ministrin e Mbrojtjes, Maqedonci ishim në pikat statike dhe patrullat ushtarake të vendosura në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë. Jemi të përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.