75 Mall Live Search
17:58 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / F.R

Pas zvogëlimit të trupave, ambasadori amerikan në NATO: Rumania po demonstron aftësi dhe përgjegjësi

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të ulin numrin e trupave të pranishme në krahun lindor të Europës, përfshirë ushtarët që do të stacionoheshin në bazën ajrore Mihail Kogalniceanu të Rumanisë, tha të mërkurën Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë.

Ministria tha se vendimi ishte i pritshëm duke pasur parasysh ndryshimet në prioritetet e Uashingtonit dhe se afërsisht 1000 trupa amerikane do të vazhdojnë të stacionohen në Rumani. 

Pas këtij zhvillimi, ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ka lavdëruar Rumaninë për aftësitë e treguara dhe përgjegjësitë më të mëdha të ndërmarra në mbrojtje dhe për arritjen e objektivave të përbashkëta.

Ai tha se partneriteti me këtë shtet anëtar të BE’së e NATO’s është “më i fortë se kurrë”.

“Në mbarë NATO-n, aleatë si Rumania po tregojnë aftësi dhe përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha. Gjatë më shumë se 20 viteve si aleate e NATO-s, Rumania ka bashkëpunuar vazhdimisht me Shtetet e Bashkuara për të arritur objektivat tona të përbashkëta të mbrojtjes. Ky partneritet mbetet më i fortë se kurrë”.

Whitaker tha se prania e SHBA-së në Europë mbetet e palëkundur.  

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj Rumanisë — si një aleate e besuar e NATO-s, një partnere strategjike jetike dhe një forcë shtytëse për sigurinë në Europë. Prania jonë e fuqishme dhe angazhimi ynë i qëndrueshëm në Europë mbeten të palëkundura, përfshirë edhe mbështetjen për operacionin Eastern Sentry”.