17:28 / E Mërkurë, 20 Janar 2021 / Blerim

Pasi arrestuan të dyshuarin që i’u shmang policisë për tri ditë, policia ia bastisë edhe shtëpinë

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin që ishte në kërkim nga Policia e Kosovës që tre ditë, pasi kishte shtënë me armë. Ndërkohë që pas arrestimit është zgjeruar aksioni policor dhe i është bastisur shtëpia, ku i është gjetur edhe një armë tjetër në shtëpi.

“Zyrtarët e stacionit policor të Obiliqit, sapo kanë përfunduar edhe një bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku kanë gjetë dhe sekuestruar  edhe një armë tjetër”, ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprat mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës si dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Ndërkohë që sot, pas marrjes së informatave në rrugë operative se në një hotel në fshatin Prugovc të Prishtinës është strehuar një i dyshuar i cili më datë 17.01.2021 kishte  shtënë me armë zjarri në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, njësitë e specializuara të policisë ndërmorën një operacion bastisjeje me ç’ rast arritën të kapin dhe të arrestojnë të dyshuarin; E. M, mashkull 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.