Pasi Duda Balje njoftoi se do të qëndrojë në “opozitë”, Emilja Rexhepi insiston për formimin e qeverisë

Pas vendimit të deputetes Duda Balje për të kaluar në opozitë, janë shtuar zërat se kjo lëvizje është ndërlidhur me përplasjet dhe mosmarrëveshjet me deputeten Emilja Rexhepi.
E pyetur lidhur me situatën, Rexhepi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përmbushjes së përgjegjësive institucionale nga ana e përfaqësuesve të komuniteteve pakicë.
Të gjithë ne përfaqësuesit e komuniteteve pakicë duhet të votojmë dhe të formojmë institucionet si parlament, ashtu edhe qeveri, sa më shpejt që të jetë e mundur,” ka deklaruar Rexhepi.
Ajo shtoi se vonesat në formimin e institucioneve nuk duhet t’u atribuohen përfaqësuesve të komuniteteve.
“Nuk duhet të mbajmë përgjegjësi për stagnimin e shoqërisë së Kosovës”, tha ajo për FrontOnline-n.
Rexhepi nënvizoi se puna brenda institucioneve është thelbësore për realizimin e objektivave politike.
“Me punën tonë në parlament dhe qeveri do të zbatojmë programin që i kemi premtuar elektoratit tonë që na ka votuar në zgjedhje”,
Ajo gjithashtu u deklaruar kundër shkuarjes në zgjedhje të reja.
“Nuk besoj se është në interesin e askujt të shkojmë sërish në zgjedhje, duke qenë se kemi edhe zgjedhje lokale në vjeshtë”,
Në fund, Rexhepi theksoi qëndrimin e qartë të subjektit që ajo përfaqëson, NDS-n.
“Qëndrimi i NDS-së është se ne mbështesim votën për kryeparlamentarin dhe kryeministrin Kurti”, tha ajo.