75 Mall Live Search
10:42 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / Z S

Pasi iu aprovua kërkesa për shtimin e katër artikujve që lidhen me dy dëshmitarë, mbrojtja e Thaçit ndryshon listën e provave

Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, ka njoftuar se ka dorëzuar listën e ndryshuar të provave të saj në rastin në të cilin Thaçit së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kjo listë e ndryshuar u dorëzua më 31 tetor 2025 pas urdhrit të trupit gjykues në këtë rast, i cili pranoi në prova materiale katër artikuj që lidhen me dy dëshmitarë të mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas parashtresës së mbrojtjes dhe vendimit të trupit gjykues, këta artikuj lidhen me dëshminë e dëshmitarëve 1DW-008 dhe 1DW-009.

Mbrojtja kishte thënë që këto prova janë relevante dhe se asnjë pale nuk i shkaktohet dëm nga pranimi i tyre, pasi ato do e kenë mundësinë që ta marrin në pyetje secilin prej dëshmitarëve përkatës lidhur me ato.

Provat që lidhen me dëshmitarin e parë (1DW-008), thuhet se janë versione të gjuhës angleze dhe shqipe të një interviste të dëshmitarit të publikuar në “Zëri”.

Ky artikull thuhet se lidhet me përvojën e dëshmitarit në Kosovë gjatë 1998-ës dhe 1999-ës. Po ashtu, edhe për rolin e SHBA-së në Kosovë, ndërveprimin e dëshmitarit me UÇK-në e veçanërisht me Thaçin.

Një version i kësaj interviste ishte pranuar edhe më parë në prova materiale dhe sipas trupit gjykues, ky version nuk ndryshon materialin paraprak.

Kurse, për dokumentet që lidhen me dëshmitarin 1DW-009, janë nga dokumenti zyrtar i Republikës Federale të Jugosllavisë me datë 25 qershor 1999, që përfshinë dekrete të ndryshme që heqin gjendjen e luftës, si dhe një përkthim të pjesshëm në anglisht.

Sipas trupit gjykues, këto dokumente lidhen me periudhën e konfliktit të armatosur, dëshminë e ardhshme të 1DW-009, veçanërisht rolin e tij në ndërveprim me autoritetet serbe, përfshirë instrumentet dhe proceset për të përfunduar konfliktin.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Indeksonline/