Pasiguria dhe jo-stabiliteti në shtetet e Ballkanit Perëndimor

Shkruan: Mr. Fahredin Verbovci
Situata aktuale e paqëndrueshmërisë politike dhe e sigurisë në shtetet e Ballkanit Perëndimor e ka potencialin e shkaktimit të krizave të reja në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Ajo që më së shumti në kohë të fundit është duke i shqetësuar shumë politikbërës të Bashkimit Evropian, është involvimi i Rusisë në vazhdimësi në shtetet e Ballkanit me qëllime të qarta të çrregullimit dhe me pas përkeqësimit të situatës së sigurisë.
Shtetet e Ballkanit vazhdojnë të mbeten synim i ndikimit Rus sepse interesat e saja janë të thella dhe ndërhyrjet Ruse janë më tepër oportuniste, kjo për faktin që shumica e këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s, deri sa në disa vende të tjera janë të instaluar trupat e NATO-s, gjegjësisht BE-së.
Pavarësisht që hapësira politike
për ndonjë krizë serioze eventuale po ngushtohet brenda shteteve të Ballkanit
perëndimor, ekzistojnë disa faktorë të cilët mund të kontribuojnë në pasigurinë
dhe paqëndrueshmërinë në fushën e sigurisë dhe ekonomisë në
këtyre shteteve. Kësaj situate me gjasa i paraprinë edhe mungesa
e një strategjie të
qartë të
BE-se të
perspektivës integruese të këtyre shteteve e cila ka kontribuar në pasiguri dhe
labilitet të situatës aktuale. Ndër faktorët kryesor që mund
të kontribuojnë në lëkundjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë politike dhe të sigurisë
në përgjithësi në shtetet e Ballkanit Perëndimor (BP), janë si në vijim:
- Qasja e Moskës dhe e Pekinit ndaj vendeve të Evropës jug-lindore dhe Ballkanit Perëndimor përmes bashkëpunimit në fushën ushtarake, ekonomike dhe tregtare;
- Ndërtimi i marrëdhënieve të mira Ruse-Turke, ndikimi i Turqisë në shtetet e BP përmes marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe përmes besimit fetar;
- Ndërhyrjet kibernetike Ruse janë faktor tjetër I jo-stabilitetit dhe pasigurisë jo vetëm në shtete të Ballkani perëndimorë por edhe me gjërë;
- Jo stabiliteti në mesin e shteteve anëtare të BE-së (brishtësia brenda shteteve anëtare të BE-së, e vërejtur sidomos gjatë COVID-19);
- Mungesa e reformave demokratike dhe e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në shtetet EJL dhe BP;
- Rritja e ekstremizmit në disa shtete të BE-së si rezultat i fitores se partive ekstremiste të majta të cilat nuk i kanë mbështetur politikat e BE-së;
Pse Rusia synon të rrit ndikimin e vet në shtetet e Ballkani Perëndimor?
Ballkani, në përgjithësi konsiderohet si pozitë gjeopolitike dhe gjeostrategjike në mes te shteteve të Perëndimit dhe Lindjes në njërën anë dhe në anën tjetër në mes të Rusisë dhe Kinës në fushën ekonomike dhe tregtare. Dhe duke pas parasysh këtë fakt, Rusia tenton që të shfrytëzoj situatën momentale tek këto shtete, si rezultat i mungesës së demokracisë dhe mos funksionimit të duhur të zbatimit të ligjit. Nga ky kënd, poashtu tendenca e rritjes së ndikimit të shteteve jo perëndimore edhe përkundër që ekziston prezenca e shteteve Perëndimore, është gjithnjë më e madhe.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara janë më tepër të fokusuar në zhvillimet e fundit në shtetet e lindjes së mesme dhe largët, ndërsa në rrafshin e brendshëm janë të fokusuar në procesin e zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahen në fundvit. Ky pasivitet aktual nga ana e ShBA-së dhe jo uniteti i shteteve të BE-së (disa vende anëtare te BE-s kane probleme te veta në fushën politike, ekonomike, ndryshimi i Qeverive, etj) i ka dhënë mundësi dhe hapësirë shteteve joperëndimore që të kenë ndikim t’a shtrijnë edhe në rajon. Në veçanti është e pranishme tendeca në rritje e ndikimit të Rusisë në aspekt politiko-ushtarak dhe ndikimit Kinez dhe Turk nga aspekti ekonomiko-tregtarë;
Tutje, mungesa e nxitjeve ekonomike të shteteve te Bashkimit Evropian në rajon e ka rritur interesin e Rusisë dhe Kinës që të investojnë në sektorin ekonomik të shteteve te Ballkanit Perëndimor. Eksporti i mallrave Ruse ne Ballkan nuk ka ndonjë përqindje të madhe me përjashtim në Serbi, ndërsa është rritur eksporti i mallrave Kinez me të madhe në rajon dhe me gjerë. Kohën e fundit, Kina është duke u bërë faktor shumë serioz i investimeve në shtetet e Ballkanit Perëndimor, e në veçanti vlen të potencohen projektet milionëshe në infrastrukturë dhe telekomunikacion, e që në këtë fushë Rusia nuk ka shumë për të ofruar.
Derisa ndikimi Rus në fushën ekonomike në kohë të fundit ka filluar të zbehet (me përjashtim me Serbi), shtetet e Evropës dhe Perëndimit duhet të jenë të shqetësuara më tepër për rritjen e ndikimit Kinez në Ballkan e rrjedhimisht marrëdhëniet e tyre (BE-së) me shtetet e rajonit.
Afërsia e Serbisë me Kinën në fushën e ekonomisë vazhdon të mbetet shqetësimi i Brukselit sidomos kjo u vërejt gjatë kohës se pandemisë. Kina ishte shteti i parë që i ofroj ndihmë Beogradit dhe kjo e fundit e organizoj një ceremoni spektakolare në shenjë falënderimi për popullin vëlla Kinez. Realisht kjo afërsi e Serbisë me Kinezët, mund të konsiderohet vetëm si një kamuflim i lidhjes se ngushtë të Beogradit me aleatin e saj Rus, sepse botërisht dihet që Serbia është më tepër e orientuar kah Moska se sa kah Brukseli.
Ditë më parë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, zt. Borello në një prononcim të tij, deklaroj se “ Ne duhet të mbajmë qëllimin tonë për të sjell shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE, por diplomacia Evropiane duhet të bëje një profilizim në mes të shteteve të BP të cilat me të vërtetë janë të interesuara të integrohen në BE dhe ato të cilat kokën e kanë kah Moska”.
Evropa duhet të jetë më e angazhuar, me unike dhe më vendimmarrëse në shtetet e Ballkanit Perëndimor si në aspekt të mbështetëjes së procesit të reformave demokratike, të investimeve në fushën e ekonomisë si edhe në fushat tjera, sepse nëse këto shtete nuk kanë mbështetje të fuqishme, atëherë ardhmëria e shteteve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, nuk do të jetë e qëndrueshme dhe stabile.
Autori i këtij punimi është hulumtues i pavarur për çështje të sigurisë dhe ekonomisë dhe nuk përfaqëson pikpamjet e organizatës ku punon.