12:53 / E Diele, 19 Korrik 2020 / indeksADMonline

Patatinat nuk janë të shëndetshme, por jo për arsyen që mendoni ju

Patatinat, nuk janë të mira për shëndetin, por jo vetëm prej sasisë së madhe të yndyrës apo kalorive të shumta. Në fakt, arsyeja kryesore është për shkak se këto patatina, sidomos ato që duken si më “të djegura”, përmbajnë një kimikat të njohur me emrin Akrilamid, që mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve kanceroze. Prej disa vitesh, Bashkimi Europian ka nxjerrë direktiva për sigurinë e ushqimit, duke bërë që kompanitë ta ulin nivelin e këtij kimikati në disa prej ushqimeve ku gjendet aktualisht. (via The Telegraph)

Sipas Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, kimikati vjen si rezultat i temperaturave të larta, të përdorura në procese si pjekja dhe skuqja. Akrilamidet formohen në mënyrë natyrale dhe nuk janë rezultat i paketimit, apo elementëve të tjerë të jashtëm. Autoriteti Europian i Sigurisë së Ushqimit thotë se zakonisht, kjo ndodh në temperatura që fillojnë nga 120 gradë Celcius dhe kanë nivele të ulëta të lagështirës.

Prodhuesit kanë nisur t’i bëjnë patatinat në temperatura më të ulëta dhe kohë më të reduktuar. Kështu, shumë prej patatinave tuaja të preferuara, do kenë një ngjyrë kafe më të hapur, por nuk do të jenë aq të rrezikshme sa më parë.

“Kompanitë po përmirësohen dhe nëse krahasoni ngjyrat e patatinave të tanishme, me ato të disa viteve më parë, mund të shihni që sot, ngjyrat janë më të lehta”, tha Lisa Ackerley, Ekspertja e Sigurisë Ushqimore në Britani.

Emma Shields, studiuesja britanike thotë: “Dëshmitë nga studimet e kafshëve kanë treguar që akrilamidi potencialisht mund të bashkëveprojë me ADN-në në qelizat tona, prandaj mund të shkaktojë dëme deri në sëmundje kanceroze, por kur shikojmë studime të mirëfillta te njerëzit nuk mund të shohim një lidhje të qartë dhe të qëndrueshme.”

Akrilamidi gjendet dhe në ushqime të tjera, si: kafeja, patatet e skuqura, disa lloje biskotash etj.