22:33 / E Enjte, 03 Shkurt 2022 / MSH

“Pavarësohet” Rita Ora, nënshkruan me kompaninë BMG

Rita Ora ka nënshkruar marrëveshje globale regjistrimi me kompaninë BMG, që i jep asaj pronësinë e të gjitha incizimeve të ardhshme.

Ylli me prejardhje kosovare e bëri publik këtë lajm në Instagram, duke thënë se ishte shumë e rëndësishme që tani kishte në kontroll muzikën e saj, shkruan BBC.

Rita kishte nënshkruar më parë me Atlantic Records, ku shënoi 10 hitet më të mëdha të saj, duke përfshirë Anywhere dhe Let You Love Me.

Para kësaj, ajo kishte ngritur padi për t’u liruar nga një kontratë me Roc Nation të Jay-Z, duke thënë se kishte mbetur “jetime” nga labeli.

Kompania e ndihmoi atë të niste karrierën e saj solo në 2012, por Ora ndërmori veprime ligjore tre vjet më vonë, duke thënë se karriera e saj ishte bërë një prioritet i ulët, pasi Roc Nation ndoqi interesa të tjera në menaxhimin e sporteve dhe shërbimin muzikor Tidal.

Publikimi i saj i fundit për labelin ishte Bang EP i vitit të kaluar, me DJ dhe producent Imanbek. Pas kësaj, kontrata e saj me Atlantic besohet se ka skaduar.

Ajo ka një karrierë paralele në televizion dhe industri filmike, si dhe është gjyqtare në The Masked Singer UK.