PDK dorëzon kërkesë në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të ZRRE-së

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, njoftoi sot se kjo parti dorëzoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili, sipas tij, ka nxjerrë në mënyrë të dhunshme rreth 1300 biznese në të ashtuquajturin treg të lirë, raporton Ekonomia Online.
Tahiri tha se ky vendim rrezikon qindra mijëra vende pune dhe dëmton rëndë ekonominë e vendit.
PDK kërkoi edhe masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.
“Sot në emër të PDK-së në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të qindra mijëra vendeve të punës, në mbrojtje të ekonomisë së vendit tonë. Sapo dorëzuam kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e vendimit të ZRRE-së, e cila në mënyrë të dhunshme nxori rreth 1300 biznese në të ashtuquajturin treg të lirë, sepse në Kosovë nuk ka treg të lirë, duke rrezikuar rreth qindra mijëra vende pune në vendin tonë dhe duke rrezikuar edhe ata pak prodhues dhe ndërmarrës në vendin tonë që mbajnë gjallë ekonominë e vendit tonë.
Ne sot kërkuam një masë të përkohshme fillimisht nga Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që të pezullohet implementimi i këtij vendimi dhe pastaj të shqyrtohet”, tha Tahiri.