75 Mall Live Search
14:24 / E Diele, 16 Nëntor 2025 / BA

PDK e çon në Gjykatë Supreme çështjen e zgjedhjeve në Mitrovicë, pasi iu rrëzua nga PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i rrëzoi Partisë Demokratike të Kosovës ankesën dhe kërkesën për rivotim në Mitrovicë, si pasojë e asaj që ata argumentojnë të ketë pasur manipulim zgjedhor, përkatësisht referuar fletvotimeve me shpërputhje të numrave serikë.

PDK e ka çuar në shkallën e fundit të gjyqësorit të rregullt, në Gjykatë Supreme, duke konstatuar se PZAP bëri vlerësim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje esenciale të dispozitave ligjore.

PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë. Provat e paraqitura tregojnë qartë se procesi është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve është ndryshuar.

“Me kërkesën drejtuar Gjykatës Supreme, PDK kërkon shqyrtim të plotë të çështjes dhe marrjen e një vendimi që garanton integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës. Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend. Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”, thuhet në njoftimin e PDK-së