PDK-ja e LVV-ja të bashkuara në Graçanicë, Mërgim Lushtaku bën thirrje për unitet: Koha për bashkim, jo për ndarje!

Në një tubim të mbajtur dje në Komunën e Graçanicës, Aleanca Shqiptare ka arritur të bashkojë përfaqësues të dy partive më të mëdha në vend, nënkryetarin e LVV-së, Glauk Konjufca dhe deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Ata i dhanë përkrahje kandidatit për kryetar komune, Leutrim Ajeti, duke theksuar rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve në këtë komunë të ndjeshme për nga përbërja etnike dhe sfidat politike.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, në një deklaratë për Indeksonline, e cilësoi këtë aleancë si të domosdoshme.
“Së pari, besoj se ka qenë e nevojshme një aleancë në Graçanicë dhe nuk është hera e parë që ka pasur iniciativë të tillë, por kësaj radhe është konkretizuar. Kjo është për çdo respekt, për të gjitha partitë politike deri te ajo më e vogla”, u shpreh Lushtaku.
Ai shtoi se vullneti dhe kurajoja për t’u bashkuar kanë ardhur si rezultat i vizionit të përbashkët që shqiptarët të mos jenë më të përçarë në komuna si Graçanica, ku për vite me radhë kanë qenë subjekt i diskriminimit nga qeverisja lokale e udhëhequr nga Lista Serbe.
“Kemi parë vizionin që shqiptarët kanë nevojë të jenë të unifikuar, që të mos ketë më diskriminim si më herët. Prandaj, ky bashkëpunim besoj se mund të reflektojë edhe në nivel qendror, të paktën për çështjet madhore”, tha ai.
I pyetur për mundësinë e një bashkëpunimi më të thellë ndërmjet PDK-së dhe LVV-së në nivelin qendror, Lushtaku u shpreh se aktualisht ekziston një hendek i madh politik, por nuk e përjashtoi një të ardhme më bashkëpunuese.
“Nuk besoj se kemi arritur në atë nivel bashkëpunimi në qendër, pasi ekziston një hendek i madh politik. Por uroj që të ulen kritikat dhe paragjykimet, dhe të mos krijojmë ndasi të panevojshme në popull. Ne e kemi kritikuar vazhdimisht këtë lloj diskursi përçarës”, shtoi ai.
Sipas Lushtakut, nëse Vetëvendosje vetëdijësohet dhe heq dorë nga paragjykimet, nuk ka asnjë arsye që PDK të ketë “vija të kuqe”.
“Nuk ka pasur diskutim për bashkëpunim në këtë legjislaturë, dhe nuk ka ndryshim në këtë drejtim, por nëse ka vetëdijësim nga VV-ja, ne nuk jemi ata që vendosim vija të kuqe për çështje kombëtare”.
Tubimi i djeshëm në Graçanicë u pa si një mesazh i qartë për unifikim politik në funksion të interesave të përbashkëta kombëtare, në një kohë kur ndasitë politike kanë dominuar debatin publik. /Indeksonline/